Tetor 26, 2021 18:10 Europe/Tirane
  • A po lulëzon Bitcoin në Shqipëri? Çela i OSHEE: Vjedhja e energjisë zbuloi dy ferma në Tiranë e Krujë

Sinjalizimi për vjedhjen e energjisë elektrike nga OSHEE ka çuar në zbulimin e dy fermave të prodhimit të kriptomonedhës Bitcoin.

Administratori i OSHEE-së, Ardian Çela, duke ju përgjigjur shqetësimit të deputetit demokrat Sula mbi lulëzimin e këtij aktiviteti tha se deri tani janë zbuluar dy, një në Tiranë dhe një në Krujë.

Nga ana tjetër zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja, theksoi se dy fermat janë zbuluar pasi është konstatuar vjedhje e energjisë pasi në të kundërt ata do të konsideroheshin thjesht konsumatorë për OSHEE përkundër faktit se ky aktivitet është i palicensuar.

Prodhimi i kriptomonedhës Bitcoin kërkon pajisje të fuqishme kompjuterike të cilat përdorin dhe një sasi të madhe të energjisë elektrike.

Diskutimet te Ligjet

Dashnor Sula: A keni informacion apo keni vënë re që në zona të caktuara të Shqipërisë ka rritje të jashtëzakonshme të harxhimit të energjisë elektrike. Thuhet se ka filluar prodhimi ilegal i Bitcoin në Shqipëri.

Adrian Çela: Për rastin e Bitcoin do ju jap këtë informacion. Ne kemi nisur pak më parë investimin, pasi ky shqetësim nuk ka qenë vetëm me Bitcoin por dhe me shtëpinë e barit. Kemi nisur montimin e pajisjeve, jemi në fazën e dytë. Po vendosim smart fider, dhe është 1 km i gjatë. Duke kaluar në fazën e dytë të monitorimit të kabinave, ngushtojmë rrethin e kërkimit.

Kemi evidentuar dy ferma Bitcoini, një në Tiranë dhe një në Fushë-Krujë. I kemi denoncuar dhe janë në ndjekje penale. Kemi marrë masa dhe ndaj ekipeve që monitoronin atë zonë jo vetëm me largim nga puna por i kemi çuar dhe në ndjekje penale. Është një betejë e përditshme dhe jo vetëm me Bitcoinin, jo vetëm me kultivuesit e lëndëve narkotike,  por me cilindo që bën lidhje të paligjshme. Me këtë investimin që është në proces dhe me suportin e Exit Bank dhe USAID rezultatet do të jenë më të mira. Kërkojnë investime SMART.

Ndërkohë zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja thotë se këto dy ferma janë zbuluar pasi është konstatuar vjedhje e energjisë. Ai u shpreh se në rastin kur paguhet fatura e energjisë elektrike nuk përbën asnjë problem.

Ilir Bejtja: Bitcoin është aktivitet i palicencuar por kjo nuk do të thotë që nuk na ka paguar energjinë.

Adrian Çela: E ka për vjedhjen.

Ilir Bejtja: Neve identifikojmë vetëm vjedhjen e energjisë. Denoncimi ka qenë si indicia për autoritetet ndërsa ne konstatojmë vetëm vjedhjen e energjisë. Ne kemi identifikuar vjedhjet e energjisë, dhe kemi konstatuar dy raste të Bitcoin. Por ata që e kanë paguar për ne janë konsumatorë, dallohen vetëm nga konsumi eksesiv./ParsToday