Janar 22, 2022 19:00 Europe/Tirane
  • Banorët e '5 majit' kalojnë netët jashtë nën rrënoja mes të ftohtit: Nuk tërhiqemi

Pronarët e shtëpive të shembura në zonën e '5 majit', pavarësisht temperaturave të ulëta dhe mungesës së kushteve kalojnë natën nën rrënoja. Ata tregojnë se kanë marrë këtë vendim nga pamundësia, ndërsa shprehen se fëmijët i kanë dërguar pranë të afërmve.

Banorët e '5 majit', pas dhunës nga policia dhe shembjes së banesave të tyre, vazhdojnë të kalojnë natën jashtë, në në të ftohtë.

 

Përveç rrezikut që iu kanoset nga rënia e tullave apo hekurave, ata po sfidojnë temperaturat e ulëta, pa energji elektrike, pa ujë dhe pa mobilie, duke fjetur përtokë.

"Po ta shohësh mirë, duket sikur Shqipëria jeton ende në epokën e gurit sepose s'ka mundësi që asnjë nga instituciuonet, të paktën shërbimi social që të mos vijë të shohë këta banorë që jetojnë në këto gërmadha që është rrezik jete sepse mund të shembet në çdo moment. Pa llogaritur që s'ka as drita dhe as ujë në këto ditë dimri", tha një banor i '5 majit'. 

"Flejmë atje (jashtë nën gërmadha) ndezim një zjarr". 

"Shumë ftohtë është. Kemi ndezur zjarr. Nuk kam lekë të kërkoj shtëpi me qira". 

Ata tregojnë se nuk kanë ku të shkojnë tjetër, ndërsa fëmijët i kanë strehuar tek të afërmit e tyre, pasi nuk mund të lejojnë të qëndrojnë jashtë. 

"Unë jam me gjithë fëmijët jashtë. Fëmijët e mi i kam çuar te babai im, burri fle në makinë, ndërsa unë me djalin 8-vjeçar kam fjetur te vëllai". 

"Fëmijët i kemi çuar nëpër njerëz të tjerë".

Këta pronarë mbeten stoikë në kërkesat e tyre, duke kërkuar një kontratë që plotëson të gjitha kushtet e tyre nga ana e Bashkisë së Tiranës./Syri