Mars 17, 2023 09:38 Europe/Tirane
  •  Amir-Abdollahian: Marrëdhëniet Teheran-ANEA janë në rrugën e duhur

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian në një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian tha se marrëdhëniet Teheran-ANEA tani janë në rrugën e duhur.

Amir-Abdollahian në një bisedë telefonike të enjten mbrëma me Josep Borrel foli për bisedimet bërthamore për heqjen e sanksioneve dhe u fokusua gjithashtu në situatën në Ukrainë dhe bashkëpunimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) me Republikën Islamike të Iranit. Ai tha se Irani ka theksuar kundërshtimin e tij ndaj luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe gatishmërinë e Teheranit për të kontribuar në çdo negociatë paqeje, çështje të cilën ai tha se do ta ndjekë në vizitën e tij të ardhshme në Moskë. "Perëndimi në vend që të përsërisë akuzat e tij të pabazuara kundër Iranit, duhet të inkurajojë Ukrainën që të paraqesë dokumentet e saj autentike në takimin zyrtar të delegacioneve politike dhe ushtarake të të dy vendeve, sepse Irani gjithmonë ka favorizuar paqen dhe jo luftën”, shtoi Hossein Amir-Abdollahian. Ministri i Jashtëm iranian gjithashtu kritikoi Borrelin për pasqyrimin e gabuar të lajmit në postimin e tij të fundit në Twitter. Edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian në bisedën telefonike duke bërë një përmbledhje të negociatave të Vjenës, theksoi nevojën për iniciativa praktike që synojnë arritjen e marrëveshjes. Ai vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Iranit për krijimin e paqes në rajon, pavarësisht spekulimeve për ekzistencën e dronëve iranianë në luftën në Ukrainë. Borrel tha se bashkëpunimi i Iranit me ANEA-në tani është një hap përpara.