Mars 17, 2023 09:39 Europe/Tirane
  •  Nuk do të lejojmë që gjeografia e Emirateve të Bashkuara Arabe të përdoret kundër Iranit

Në një takim me Sekretarin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Emiri i Dubait tha: "Politika jonë definitive është të mos lejojmë asnjë vend apo aktor të tretë të krijojë ndarje midis dy vendeve ose të përdorë gjeografinë e Emirateve të Bashkuara Arabe kundër Iranit".

Sipas IRNA, Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, të enjten në një takim me admiralin Ali Shamkhani, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, tha: "Emiratet e Bashkuara Arabe do të përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për të ndihmuar në zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve". Emiri i Dubait gjithashtu shtoi : "Ne do ta përdorim marrëveshjen dypalëshe për të zgjidhur problemet e shtetasve dhe institucioneve iranianë me bazë në Dubai". Nga ana e tij, Ali Shamkhani i quajti Emiratet e Bashkuara Arabe dhe sundimtarët e Dubait ndër lojtarët efektivë në zhvillimet ekonomike dhe tregtare të rajonit dhe tha: "Qeveria e Iranit, duke miratuar një strategji të orientuar drejt fqinjësisë së mirë, është e vendosur të kapërcejë barrierat artificiale që u janë imponuar marrëdhënieve midis dy vendeve. Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit u takua të enjten edhe me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ku diskutuan çështje me interes të përbashkët. Gjatë takimit të dy palët shqyrtuan edhe zhvillimet e fundit rajonale dhe ndërkombëtare. Zyrtari i lartë i sigurisë iraniane iu referua marrëdhënieve të gjera politiko-ekonomike mes Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe tha se të dy vendet mund të ndërmarrin hapa të mëdhenj në zgjerimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe nxitjen e diplomacisë së fqinjësisë së mirë. Shamkhani tha gjithashtu se problemet në rajonin e Gjirit Persik janë kryesisht për shkak të ndërhyrjes së vendeve transrajonale, në veçanti Shteteve të Bashkuara dhe regjimit sionist, duke theksuar nevojën e përpjekjeve kolektive të vendeve të rajonit për të garantuar sigurinë e rajonit. Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, nga ana e tij, vlerësoi një marrëveshje historike të kohëve të fundit për rivendosjen e marrëdhënieve midis Teheranit dhe Riadit, e cila tha ai  ishte një hap vendimtar për të ndihmuar më tej në konvergjencën midis vendeve të rajonit. Al Nahyan shprehu shpresën se vizita e zyrtarit të lartë të sigurisë së Iranit në Abu Dhabi do të hapë një faqe të re në marrëdhëniet midis Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.