May 31, 2023 10:11 Europe/Tirane
  •  Presidenti i Iranit i jep mision ministrit të jashtëm për shqyrtimin e marrëdhënieve me Egjiptin

Zëdhënësi i Qeverisë së Iranit njoftoi se presidenti i Republikës Islamike të Iranit i ka dhënë mision special ministrit të punëve të jashtme për të ndjekur dhe shqyrtuar rivendosjen e mundshme të marrëdhënieve me Egjiptin.

Irani dhe Egjipti, si dy vendet qendrore të botës islame, ndodhen në dy rajone të ndjeshme dhe strategjike. Egjipti dhe Irani konsiderohen padyshim se janë pjesë e themeleve të qytetërimit botëror dhe kultura e këtyre dy vendeve ka qenë dhe vazhdon të jetë një faktor ndikues dhe i spikatur, por tendencat politike gjithmonë kanë shkaktuar afërsi apo distancë në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve.

Agjencia e lajmeve Iran Press njoftoi se Ali Bahadori Xhahormi, zëdhënësi i Qeverisë së Iranit, në një konferencë për shtyp të martën, deklaroi se qeveria iraniane është e gatshme të rifillojë dhe zhvillojë marrëdhëniet me Egjiptin dhe presidenti i Republikës Islamike të Iranit i ka dhënë mision special Ministrisë së Punëve të Jashtme për të ndjekur seriozisht çështjen e rivendosjes së marrëdhënieve me Egjiptin.

Bahadori Xhahormi përmendi edhe vizitën e fundit të sulltanit të Omanit në Iran dhe shtoi se kjo vizitë është realizuar në vijimësi të diplomacisë fqinjësore, në të cilën janë arritur marrëveshje të mira mes dy vendeve në katër fusha të ndryshme të energjisë, shëndetësisë, transportit dhe tregtisë.

Zëdhënësi i qeverisë iraniane deklaroi se gjatë kësaj vizite u nënshkruan katër dokumente bashkëpunimi dhe vuri në dukje se vëllimi i tregtisë ndërmjet Iranit dhe Omanit arriti në dy miliardë dollarë vitin e kaluar, gjë që tregon një rritje me më shumë se 40%.

Bahadori Xhahormi foli edhe për eksportet e Iranit në vendet e Azisë Qendrore, në rajonin e Kaukazit dhe Rusisë, ndërsa tha se në dy muajt e fundit, eksportet e Iranit në vendet e Azisë Qendrore, Kaukazit dhe Rusisë janë rritur me 50% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./syri/