Gusht 05, 2021 07:45 Europe/Tirane
  • Rritje e të infektuarve me coronavirus, 888 raste aktive në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bën të ditur në total numri i rasteve aktive është 888.

MSH numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105.688, ndërsa nga fillimi i pandemisë nga coronavirusi kanë vdekur 2,268 persona.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 14.616 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 460.297 doza të vaksinës.

Deri më sot 162.807 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Ndryshe, rritja e numrit të të infektuarve me coronavirus në Kosovë u tha se është paralajmërim për kujdes të shtuar kundër përhapjes së mëtejme së këtij virusi.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi ka thënë një ditë më parë se aktualisht situata është e menaxhueshme, por thekson se duhet pasur kujdes në këtë drejtim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se rreth 90 për qind e rasteve të infektimit me COVID-19 janë të lidhura me variantin Delta. Ky variant, që është më ngjitës, është bërë dominues edhe në Kosovë. Instituti, mostrat për variantin Delta, i dërgon jashtë vendit për t’i analizuar.

Nga ana tjetër, infektologu Sali Ahmeti ka thënë se respektimi i masave kundër pandemisë duhet të vazhdojë, në të kundërtën, sipas tij, numri i të infektuarve do të rritet.

“Unë mendoj se maskat duhet të vazhdohet që të mbahen, qoftë edhe nga personat e vaksinuar, në mënyrë të veçantë dhe gjithsesi edhe nga ata të pa vaksinuar. Duhet të ruhet e mbahet distanca si dhe të mbahet higjiena personale. Këto janë disa masa mbrojtëse të cilat duhet të përfillen e të respektohen. Ne jemi ende në pandemi dhe nuk e kemi përfunduar”, ishte shprehur Ahmeti. /Telegrafi