Qershor 02, 2023 09:44 Europe/Tirane
  • Kurti për ‘Washington Post’: Do takohem me Vuçiç, deklaratat e Blinken ishin të dëmshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dha një intervistë të enjten për gazetën e madhe amerikane ‘Washington Post’, ku kritikoi si të dëmshme qortimet e ardhura nga Departamenti i Shtetit.

Por gjatë intervistës, Kurti tha se do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në mes të përpjekjeve për të de-përshkallëzuar situatën. Data e takimit nuk është përcaktuar akoma, por ai po organizohet nga kryeshefi i diplomacisë evropiane, Jose Borrell.

Duke iu referuar kritikave të bëra nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, Kurti tha se ai e kupton se perëndimi kërkon të ruajë paqen.

“Por kur ke të bësh me të djathtën ekstreme, me ultra nacionalistë dhe regjime autoritare shumë të rrezikshme, deklaratat që synojnë të ruajnë paqen, thjesht vazhdojnë të inkurajojnë figurat autoritare,” tha ai.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati, miku dhe partneri ynë i domosdoshëm,” tha Kurti. “Ne jemi përjetësisht mirënjohës për rolin e tyre, për çlirimin dhe pavarësinë tonë, për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, për zhvillimin dhe demokracinë tonë. Por tani është gjithashtu koha t’u themi të vërtetën tonë demokratike autokratëve në pushtet”.

Kurti tha se nuk do të përkulet ndaj kërkesave ndërkombëtare për largimin e policisë nga ndërtesat komunale derisa protestuesit të shpërndahen ose të arrestohen.

“Nëse këto turma të dhunshme janë jashtë në Serbi ose në burg, atëherë ne mund të ulim praninë policore,” tha ai.

Që zgjedhjet e parakohshme të ndodhin, ai tha se duhet të zbatohet shteti ligjor./syri/