Shtator 21, 2021 11:10 Europe/Tirane
  • Borrell shpreh zhgënjimin me paktin AUKUS në takimin me Ministren e Jashtme australiane

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Joseph Borrell u takua me Ministren e Jashtme australiane Maris Payne dhe shprehu keqardhje mbi një marrëveshje sigurie me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara (e njohur si AUKUS), e cila u arrit pa konsultime paraprake me partnerët evropianë dhe çoi në anulimin e kontratës shumë miliardë dollarëshe mbi nëndetëset franceze.

Takimi u zhvillua në margjinat e sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së në Nju Jork. Gjatë takimit, Borrell u ankua se Bashkimit Evropian, me praninë e tij të fortë në Indo-Paqësor, iu ndalua pjesëmarrja në këtë traktat. Shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se sfidat aktuale ndaj stabilitetit rajonal kërkojnë një bashkëpunim më të koordinuar midis partnerëve. Borrell tha se Bashkimi Evropian do të marrë parasysh Paktin AUKUS dhe do të konsultohet me anëtarët e tij. Më herët, Presidentja e Komisionit Evropian e quajti të papranueshme sjelljen me Francën në nënshkrimin e marrëveshjes AUKUS nga Australia me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë me rrjetin CNN, Ursula von der Leyen shtoi se një nga vendet anëtare të BE -së ishte trajtuar në mënyrë të papranueshme. Bashkimi Evropian është partneri i tretë më i madh tregtar i Australisë. Sipas Komisionit Evropian, vëllimi i tregtisë midis dy palëve në vitin 2020 arriti në 36 miliardë euro. Më herët Franca shkaktoi tërmet diplomatik me njoftimin se kishte thirrur për konsultime ambasadorët e saj në Shtetet e Bashkuara dhe Australi, si shenjë proteste ndaj marrëveshjes për sigurinë mes këtyre vendeve që përfshiu dhe Britaninë me të cilën Parisi ka pezulluar çdo kontakt diplomatik. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, tha se ky vendim “ i jashtëzakonshëm” u mor për shkak të “rëndesës së madhe të situatës”. Aleanca, e njohur si Aukus, do t’i mundësojë Australisë që të ndërtojë nëndetëse me kapacitet bërthamor përmes teknologjisë amerikane. Kjo lëvizje zemëroi Francën, e cila kishte nënshkruar një marrëveshje disa miliarda dollarëshe me Australinë për nëndetëse konvencionale. Analistët thonë se tërheqja e ambasadorëve është vetëm maja e ajsbergut, dhe se gjërat mes Uashingtonit e Parisit, do të acarohen edhe më tej. "Ka një ndjesi të thellë tradhtie në Francë, sepse kjo nuk ishte thjesht një kontratë armësh; kjo ishte një përpjekje e Parisit zyrtar për të ndërtuar një partneritet strategjik me Australinë. Por pas shpinës së tij, u diskutua një ujdi me dy aleatë të Francës në NATO, SHBA dhe Britaninë për ta zëvendësuar me një kontratë krejt tjetër”, tha Peter Ricketts, ish ambasador britanik në Francë. “Mendoj se firmëtarët e marrëveshjes e nënvlerësuan impaktin që ky veprim do të kishte mbi francezët. Ky duket si poshtërim dhe tradhti, aq më tepër në vitin kur presidenti Macron përballet me zgjedhje dhe gara deri tani duket shumë e ashpër”, shton Ricketts. Ish-ambasadori francez në Shtetet e Bashkuara, Gerard Araud e denoncoi marrëveshjen mes Australisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë si një goditje pas krahëve. “Jo vetëm që humbëm një kontratë të rëndësishme, por një partneritet strategjik u hodh poshtë brenda natës dhe u shpall një partneritet tjetër nga ku Franca është e përjashtuar. Dhe më keq akoma ne zbulojmë se amerikanët dhe australianët kanë komplotuar pas shpinës sonë për javë dhe muaj të tërë. Ne jemi aleatë. Aleatët nuk trajtohen kështu”, tha ai. Franca thotë se Presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti francez Emmanuel Macron po planifikojnë të flasin në ditët e ardhshme lidhur me ngërçin diplomatik që u shkaktua midis dy aleatëve tradicionalë./ParsToday