Presidentët e SHBA-së dhe Kinës ranë dakord të vazhdojnë komunikimet ushtarake
Në margjinat e mbledhjes së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në San Francisko, presidentët e SHBA-së dhe Kinës, u takuan për katër orë, duke shfaqur marrëveshje modeste dhe rivendosur lidhjet ushtarake.
Në një përpjekje të madhe për “të shkrirë” lidhjet, presidenti amerikan Joe Biden dhe ai i Kinës Xi Jinping realizuan të mërkurën takimin e tyre të parë ballë për ballë pas një viti. Të dy krerët u zotuan të stabilizojnë marrëdhëniet e tyre të tensionuara duke shfaqur marrëveshje modeste, të luftojnë fentanilin ilegal dhe të rivendosin komunikimet ushtarake.
Biden e priti liderin kinez në pasurinë Filoli, një shtëpi fshati me kopshte rreth 30 milje (48 km) në jug të San Franciskos, përpara një samiti të forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Të dy udhëheqësit u takuan për rreth katër orë në Kaliforni pak përpara samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor që po zhvillohet në San Francisko. Bisedimet e tyre vijnë pasi tensionet midis dy ekonomive më të mëdha në botë kanë qenë në rritje dhe ndërsa Shtëpia e Bardhë është përpjekur vazhdimisht të marrë një qasje të fortë ndaj Kinës.
Biden e përshkroi takimin e tij me Xi Jinping si një prej bisedimeve më produktive. Në një konferencë të rrallë shtypi pas samitit, të dy palët propozuan rifillimin e komunikimeve ushtarake dhe lajmëruan se të dy udhëheqësit ranë dakord për frenimin e rrjedhës së fentanilit.
Në gusht të vitit 2022, Pekini deklaroi se po ndërpret dialogun me SHBA-në për çështjet kryesore si klima dhe marrëdhëniet ushtarake pas vizitës së kryetares së atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan.