Amir-Abdollahian: Ne do t’i përgjigjemi çdo sulmi ndaj forcave iraniane në Siri
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, paralajmëroi se ne do t’i përgjigjemi fuqishëm çdo sulmi ndaj forcave iraniane në Siri.
Sipas agjencisë Fars, në një intervistë për gazetën “Financial Times” në Gjenevë, Hossein Amir-Abdollahian në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me sulmin ndaj forcave iraniane në Siri nga Shtetet e Bashkuara tha: “Sipas lajmeve që kam, asnjë nga forcat iraniane nuk është goditur dhe, sigurisht, nëse ndodh një incident i tillë, përgjigja e Iranit do të jetë e fortë”.
Në përgjigje të pyetjes “A është e interesuar Republika Islamike të hyjë në negociata të drejtpërdrejta me SHBA-në për Gazën?”, ai u shpreh: “Çështja e Gazës është një çështje që u përket grupeve palestineze dhe ata janë pala kryesore e kësaj çështjeje”.
Amir Abdollahian më tej shtoi: “Me qasjen që Amerika dhe regjimi pushtues i Izraelit kanë në rajon, nëse nuk ndalen krimet e luftës kundër popullit të Gazës dhe Bregut Perëndimor, çdo gjë mund të jetë e imagjinueshme dhe zgjerimi i fushës së luftës mund të jetë i pashmangshëm”.
Ministri i Jashtëm i Iranit theksoi: “Situata aktuale në rajon, gjenocidi në Gaza, dërgimi masiv i armëve, madje edhe i fosforit të ndaluar nga bazat amerikane në rajon për përdorim nga regjimi sionist, kanë pasoja të ndryshme në rajon”.
Lidhur me dërgimin e anijeve amerikane në ujërat e Mesdheut Lindor, ai tha: “Këto anije nuk janë pika e fortë e Amerikës, por rrit shkallën e dëmtimit të këtyre anijeve në çdo rast”.
Më tej, Amir-Abdollahian iu përgjigj pyetjes “Pse Irani nuk hyn në luftë për të ndihmuar Hamasin?”, duke thënë: “Vetë Rezistenca ka një aftësi të lartë. Do të shihni që në fazën e hyrjes në luftën tokësore, fati i luftës do të përcaktohet nga Rezistenca brenda Gazës”.