Gjithë jeta në luftë’: Ish-zyrtari afgan rrëfen arratisjen nga talebanët
Një ish-zyrtar i lartë i administratës së rrëzuar të Afganistanit, i strehuar në Qytetin Studenti, tregon se kur talebanët morën Kabulin, e vetmja mundësi ishte largimi nga vendi përmes një udhëtimi rraskapitës drejt Tiranës me destinacion final Shtetet e Bashkuara.
Ahmad* dhe familja e tij përjetuan një udhëtim rraskapitës dhe katër netë pa gjumë nga largimi prej shtëpisë së tyre në Kabul e deri në çastin kur avioni preku aeroportin e Tiranës, mesnatën e së premtes.
Burri rreth të 45-ave, zyrtar i lartë i administratës së rrëzuar afgane, i tha BIRN se kishin rezistuar për 62 orë në radhë të gjata, jashtë dhe brenda aeroportit, përpara se ai, bashkëshortja dhe dy fëmijët ta ndjenin veten të sigurtë.
Nuk kisha kaluar ndonjëherë situatë kaq të vështirë, që të prisnim 62 orë për një udhëtim pa një përfundim të qartë,” tha Ahmad të shtunën, në një prej kafene të Qytetit Studenti.
“Por më në fund ia dolëm që të vinim këtu në Shqipëri dhe tani ndjehem i lumtur dhe optimist për qëndrimin e shkurtër këtu, derisa të mbërrijmë në Shtetet e Bashkuara,” shtoi ai.
I veshur me xhinse dhe një këmishë të bardhë, Ahmad thotë se e ka kaluar ‘gjithë jetën në luftë në Afganistan’, por nuk e mendonte largimin dhe ishte i kënaqur me punën e tij. Kur gjithçka kolapsoi dhe qytetin e morën talebanët, ai nuk pa asnjë mundësi përveçse të linte pjesën tjetër të familjes dhe Afganistanin.
Prej mëngjesit të së premtes, në Shqipëri kanë mbërritur 257 refugjatë afganë, aleatë të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve anëtare të NATO-s. Kontigjenti i parë u vendos në dy hotele në Durrës, ndërsa pjesa tjetër prej 154 vetësh u strehuan në dy godina të Qytetit Studenti.
Mesditën e së shtunës, një perimetër sigurie pengonte hyrjen në godina, përveçse për punonjësit e sigurisë dhe stafet që po menaxhojnë situatën. Megjithatë, refugjatët afganë lëvizin lirisht në grupe të vogla në rrugët e Qytetit Studenti, ndërsa shkojnë të regjistrohen në postën e policisë apo shoqërohen për t’u ushqyer në mensë.
Pjesa më e madhe e tyre përshëndesin me mirësjellje, ndërsa një prej tyre vendos dorën mbi zemër. Të tjerë kërkojnë që të mos identifikohen dhe fotografohen, të shqetësuar për familjarët që kanë lënë pas në shtëpi.
Nga komunikimet që BIRN pati me disa prej tyre, mësoi se të mbërriturit gjatë natës së fundit janë punonjës të qeverisë dhe pjesëtarë të shoqërive civile, së bashku me familjarët dhe fëmijët e tyre.
Mirënjohës për mikpritjen e Shqipërisë, ata presin të nisen sa më shpejt drejt destinacionit të tyre final në Shtetet e Bashkuara.
‘Kabuli po rrëzohet, shko në shtëpi’
Shumë prej afganëve të strehuar në Shqipëri janë ende të shokuar nga kolapsi i shpejtë i qeverisë dhe i përpjekjeve të tyre për ndërtimin e një shteti demokratik në Afganistan. Të tjerë janë të shqetësuar për sigurinë e familjarëve të tyre, por edhe për të ardhmen e popullit afgan.
Ahmad i tha BIRN se ditën që ra Kabuli, shkoi si zakonisht në zyrë dhe nuk priste që qeveria të kolapsonte. Më pas kishte shkuar në Parlament për një diskutim, por kur doli që andej mori një telefonatë shqetësuese.
“Kabuli po pushtohet, shko në shtëpi,” i kishte thënë bashkëbiseduesi. “Lashë makinën zyrtare në mes të rrugës dhe dola për të marrë taksi, por kishte shumë njerëz dhe trafik,” kujton ai.
Në mes të njerëzve të dëshpëruar në qytet, Ahmad thotë se mbërriti në këmbë në shtëpi pas dy orësh dhe nuk doli më që andej. Të nesërmen mori një mesazh për një takim me ‘administratën e re’, por u ndje i pasigurtë dhe nuk u shfaq.
I frikësuar për familjen, Ahmad thotë se iu drejtua për ndihmë amerikanëve më 17 gusht dhe ata e aprovuan. Por nga udhëtimi i planifikuar mëngjesin e 25 gushtit, atij dhe familjes iu deshën 24 orë që të mbërrinin në portën e aeroportit dhe shumë orë të tjera në radhë përpara se të hipnin në avion.
Kur ishte në aeroport, Ahmad dëgjoi shpërthimin e një bombe në perimetrin e jashtëm, ndërsa një alarm pasoi bashkë me thirrjet që askush të mos lëvizte. Por ai thotë se mendjen e kishte tjetërkund.
“Njerëzit po më merrnin në telefon, më pyesnin nëse isha mirë, por unë isha më i shqetësuar nëse do të mbërrija në destinacion, se çdo të ndodhte me ne këtu,” thotë ai. “E dëgjova zhurmën dhe nuk mendova për pasojat, edhe pse ishte një shpërthim vërtet i madh”.
Ish-zyrtari afgan tregon se situata brenda aeroportit ishte disi më e mirë dhe koordinohej nga ushtria amerikane. Ai mësoi se do të udhëtonte drejt Shqipërisë pothuajse në momentet e fundit dhe u ngjit më pas në një avion me 60 vetë për të zbritur disa orë më vonë në Tiranë.
Ahmad thotë se u ndje rehat dhe i sigurt në Tiranë, por shpreson të mbërrijë sa më shpejt në destinacionin e tij final.
“Ne jemi këtu vetëm për një qëndrim të shkurtër, pasi aplikimi im është për në SHBA dhe është aprovuar,” thotë ai. “Të paktën atje do të jemi të sigurt dhe fëmijët e mi do të shkollohen dhe shpresoj që një ditë t’i shërbejnë vendit të tyre,” shtoi ai.
Të shpëtuar, por të shqetësuar
Rikthimi pas 20 vitesh i talebanëve në Afganistan ndodhi me shpejtësi pas tëheqjes së trupave ushtarake nga Shtetet e Bashkuara. Hyrja e militantëve islamikë në kryeqytetin Kabul u pasua me skena kaotike në aeroport, duke e vështirësuar evakuimin e njerëzve që kishin punuar dhe bashkëpunuar me amerikanët, të cilët i frikësohen hakmarrjes.
Në rrugën kryesore të Qytetit Studenti, një vajzë e re, ish-punonjëse në qeverinë afgane tha se është e vështirë të shpjegohet ajo që po përjetojnë.
“Ne po vijmë nga lufta dhe nuk ndihemi mirë. Ne humbëm jetë në këto sulme gjatë këtyre ditëve dhe është e tmerrrshme ajo që ndodhi,” tha ajo. “Gjëja më e mirë është që jemi gjallë dhe u larguam që atje. Por shumë njerëz kanë mbetur atje dhe jetët e tyre janë në rrezik,’ tha ajo.
Refugjatët afganë besojnë se nën talebanët, gjithçka që u ndërtua këto 20 vjet në Afganistan do të shembet. Megjithatë, njëri prej tyre i tha BIRN se do të duhej që komuniteti ndërkombëtar të punojë me qeverinë e re, për të siguruar që njerëzit të jenë të sigurt dhe të kenë mundësinë që të mbijetojnë.
Ahmad e mban mend mirë kohën kur talebanët ishin në pushtet dhe nuk është optimist.
“Unë e kam jetuar njëherë kohën e talebanëve, isha në shkollë të lartë kur ata drejtonin vendin,” tha ai, ndërsa kujton nuk kishte asnjë aktivitet ekonomik dhe familjet ishin në kushtet e mbijetesës.
Ai thekson se talebanët nuk duan t’ia dinë për të drejtat, për arsimin apo për çështjet humanitare dhe se shqetësohen vetëm për vizionin e tyre.
“Më vjen shumë keq për vendin tim dhe njerëzit e mi. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë që njerëzit të jenë të sigurt, të kenë mundësi të mbijetojnë dhe arsim,” përfundoi ai.
*Emri i ish-zyrtarit afgan u ndryshua me kërkesën e tij për arsye sigurie./Syri