Manifestohet dita e poetit të njohur iranian Hafiz Shirazi
Data 10 mehr e kalendarit iranian që përkon me 12 tetor, është regjistruar me emrin e personalitetit të shquar të poezisë dhe letërsisë persiane Shamsudin Muhamed Hafiz Shirazi.
Shamsudin Muhamed Hafiz Shirazi ka lindur rreth vitit 727 hixhri kameri në qytetin Shiraz. Babai i Hafizit quhej Bahaudin dhe ishte prej tregtarëve të njohur ndërsa nëna e tij ishte nga rajoni Kazerun. Pas vdekjes së babait të tij, Shamsudini i vogël është rritur nën kujdesin e nënës së tij ndërsa qysh në moshën e fëmijërisë është detyruar të punojë në një furrë buke.
Hafiz Shirazi qysh nga fëmijëria ka treguar interesim dhe pasion të madh për shkollimin dhe mësimin e shkencave të ndryshme dhe me kalimin e kohës, ai shënoi suksese gjatë shkollimit dhe arriti të bëhet një prej studentëve të zgjuar pranë dijetarëve të kohës dhe studioi vepra të dijetarëve të mëdhenj të shkencave të ndryshme.
Shamsudin Muhamed Hafiz Shirazi konsiderohet prej figurave më të dalluara në krijimin e lirikave në gjuhën persiane dhe temë kryesore e lirikave të tij është përshkrimi i të dashurës (të dashurit), përshkrimi figurativ i verës etj..
Megjithëse Shamsudin Muhamed Hafiz Shirazi arriti të krijojë një lidhje dhe të bashkojë lirikat gnostike të Mevlanas dhe lirikat e dashurisë së Sa’di Shirazi, por novacioni kryesor i tij është në krijimin e vargjeve të veçanta jashtëzakonisht të bukura, të pavarura dhe me tema të shumta. Pavarësia të cilën Hafiz Shirazi i ka dhënë lirikave nëpërmjet kësaj mënyre, në një masë shumë të madhe është ndikuar nga struktura e kaptinave të Kur’anit të shenjtë, gjë që kritikët e konsiderojnë një revolucion në këtë lloj poezie.
Divani ose përmbledhja e poezive të Shamsudin Muhamed Hafiz Shirazi përmban rreth 500 lirika, disa oda, dy poema, disa pjesë poetike dhe disa rrubaijra. Ky divan poezish deri më tani është botuar mbi 400 herë në forma të ndryshme në gjuhën persiane dhe në gjuhë të tjera të botës. Një çështje e veçantë që ekziston në lidhje me Divanin e Hafizit është numri i madh i versioneve të manuskripteve me shprehje dhe fjalë të ndryshme dhe kjo karakteristikë është bërë shkak për ekzistencën e shumë editimeve që përmbajnë shprehje të ndryshme nganjëherë edhe të kundërt në një varg të caktuar.
Unë kam një zotim me shpirtin e shpirtrave që derisa të kamë shpirt në trup,
Të jem rojtar i lagjes së tij pasi që e kam shpirt në trup...
Urime dita e përkujtimit të Shamsudin Muhamed Hafiz Shirazi/ParsToday