Qeveria thau kaskadat, OSHEE deri tani 213 milionë euro për blerje energjie
Deri më tani për blerje energjie janë shpenzuar 213 milionë euro ndërkohë që duhen dhe 70 milionë të tjera deri në mbyllje të vitit. Qeveria shqiptare zbrazi kaskadat gjatë verës duke shitur energji me çmim të lirë dhe tani është detyruar ta blejë me katërfishin e çmimit, duke rrezikuar seriozisht financat e OSHEE
Importet e energjisë elektrike, kanë arritur në 213 milionë, duke shkaktuar një gropë të madhe financiare në buxhetin e OSHEE.
Sipas të dhënave të revistës Monitor, kjo shumë është sa 44% e të ardhurave të kompanisë dhe hendeku mes të ardhurave dhe shpenzimeve vijon të ngushtohet ndjeshëm.
Monitor shkruan se nëse situata hidrike nuk do të përmirësohet atëherë deri në fund të vitit kompanisë do i duhen dhe 70 milionë euro të tjera për të përballuar situatën.
Në total sipas një llogarie të tjeshtë, vetëm për blerje energjie do të duhen rreth 300 milionë euro, nga 480 milionë që janë të ardhurat e kompanisë.
Çmimet e importeve ditët e fundit janë luhatur mes 220 dhe 320 euro për Megavat orë. Ato u rritën në nivel rekord në fund të shtatorit, çka e gjeti qeverinë shqiptare papërgatitur.
Përgjatë verës situata hidrike ishte në kushte optimale. Qeveria në urgjencë për luciditete e shiti një megavat orë me 1 të katërtën e çmimit që e ble aktualisht. Sasia më e madhe rezulton të jetë eksportuar gjatë muajit gusht, pra vetëm një muaj përpara se të rriteshin çmimet.
Kjo solli zbrazjen e kaskadave të hidrocentraleve, dhe për të përballuar nevojat OSHEE u detyrua ti drejtohej tregut të lirë.
Sipas të dhënave nga janari e deri në javën e parë të tetorit vlera totale e blerjes së energjisë në import përllogaritet në 99.6 milionë euro, rreth 23 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Syri