Escobar-i i ri/ Lidhjet ballkanase të një trafikanti kolumbian droge
Nga “Marcos” dhe “Soldado” te “Tito” dhe “Chiquito”; lidhjet e trafikut të drogës midis Kolumbisë dhe Ballkanit janë të thella.
Presidenti Ivan Duque e quajti atë “goditjen më të rëndë” ndaj trafikut kolumbian të drogës këtë shekull, e krahasueshme vetëm me arrestimin e bosit të drogës, Pablo Escobar tre dekada më parë.
Emocioni ishte i kuptueshëm. Dairo Antonio Usuga, i njohur më mirë në Kolumbi si “Otoniel” ishte trafikanti më i kërkuar i drogës në vend, një ish-guerrilas i kthyer në liderin e “El Clan del Golfo”, bandës më të madhe kriminale në Kolumbi.
Ai u arrestua në fund të tetorit. 500 ushtarë dhe 22 helikopterë zbarkuan në strehën e tij rurale në Kolumbinë veriperëndimore.
Megjithatë, efekti i rënies së Otoniel do të ndjehet shumë më gjerë sesa vetëm atdheu i tij në Amerikën e Jugut. Autoritetet thonë se “El Clan del Golfo” kishte aleanca me kartelet ndërkombëtare të drogës në Meksikë, Itali dhe Ballkan.
Lidhja e fundit nuk është rastësi. Lidhjet midis grupeve të krimit të organizuar në Kolumbi dhe Ballkan datojnë vite më parë, të bazuara jo vetëm në interesin e ndërsjelltë, por në sfonde të ngjashme dhe ndonjëherë, në përvojën ushtarake ose paraushtarake.
Lidhjet ishin aq të ngushta, saqë të dërguarit e trafikantëve ballkanas do të vizitonin personalisht Otonielin për të negociuar kushtet ballë për ballë, thonë autoritetet kolumbiane.
“Shumë kriminelë ballkanas kishin trajnime ushtarake në vendet e tyre dhe ata gjithashtu mund t’u përkisnin grupeve paraushtarake ose agjencive të inteligjencës,” tha një hetues i policisë kolumbiane, i cili foli në kushte anonimati, sepse nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat.
“Kartelet ballkanase përdorin hotele me pesë yje për takime dhe më pas kalojnë disa ditë të fshehur në xhungël për t’u takuar me krerët e grupeve kriminale kolumbiane,” shtoi hetuesi për El Espectador/BIRN.
Lidhje të hershme
Në mënyrën se si vepron bota e krimit, lidhjet midis trafikantëve të drogës ndonjëherë mund të përkeqësohen.
Në mars 2020, një shtetas serb i quajtur Dejan Stanimiroviç u qëllua për vdekje në provincën Meta të Kolumbisë gjatë një sherri në gjendje të dehur me një burrë të quajtur Jose Vicente Rivera Mendoza. Stanimiroviç, i njohur në Kolumbi si “Marcos” thuhet se ishte anëtar i një bande kriminale në Ballkan të quajtur “Keka”. Mendoza, i njohur si “Soldado” ose “Ushtari” kishte lidhje me “El Clan Del Golfo” të Otoniel.
Por Stanimiroviç nuk ishte lidhja e parë kriminale mes Kolumbisë dhe vendeve të Ballkanit. Dhe nuk ka gjasa që të jetë i fundit.
Në fakt, lidhjet e trafikut të drogës datojnë të paktën dy dekada më parë, në periudhën pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë socialiste dhe tranzicionit të trazuar të Shqipërisë drejt kapitalizmit, një periudhë që solli krijimin e mafieve të fuqishme lokale shpesh me rrënjë në konflikt.
Lidhjet u ekspozuan zyrtarisht për herë të parë në vitin 2001, kur pesë shtetas shqiptarë – përfshirë edhe një oficer policie – u arrestuan në Shqipëri në një operacion të përbashkët mes policisë kolumbiane dhe asaj shqiptare që vendosi një lidhje midis kartelit Medelin që themeloi Escobar dhe figurave të mafias ballkanase. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, dy burra kolumbianë dhe nipi i ish-diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha, Ermal Hoxha, u shpallën fajtorë për trafik droge nga një gjykatë shqiptare.
Në Serbi, ajo që nisi në fillim të viteve 2000 me figurën e shquar të krimit Sreten Jociç vazhdoi me Darko Sariç, i cili u dënua nga një gjykatë serbe në vitin 2018 për kontrabandë të 5.7 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë, një vendim i rrëzuar në qershor të këtij viti nga Gjykata e Lartë për shkaqe procedurale.
Saric është lidhur me kartelin kolumbian të drogës dhe grupin paraushtarak “Los Rastrojos”, i formuar nga udhëheqësi i “Cartel del Norte del Valle”, Wílber Varela, i njohur si Jabón.
Më pas, në vitin 2019, shtetasi serb Vladimir Vidakoviç vdiq për shkaqe të panjohura në një spital në Medelín, në qytetin e lindjes së Escobarit. I identifikuar fillimisht nga autoritetet kolumbiane si një “turist serb”, Vidakoviç, në fakt, besohej se po organizonte dërgesat e drogës nga Kolumbia në Evropë dhe u vra nga rivalët.
Banane për në Evropë
Kolumbia nuk është e vetmja lidhje me Amerikën e Jugut. Policia në Ekuador beson se kufiri midis dy vendeve – veçanërisht midis provincave Putumayo dhe Sucumbíos – është rruga kryesore e ndjekur nga grupet ballkanase të krimit të organizuar që kontrabandojnë kokainë.
Zona kontrollohet nga ish-guerilasit e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, ose FARC, dhe anëtarë të “La Constru”, një organizatë paraushtarake me lidhje me grupet e krimit të organizuar meksikan dhe një nga furnizuesit kryesorë të kokainës për mafian ballkanase.
Ngarkesat dërgohen në portet ekuadoriane të Guayaquil dhe El Oro, sipas mediave ekuadoriane, dhe ngarkohen në anije, shpesh me banane, të destinuara për në Evropë.
Midis 2014 dhe 2020, Ekuadori arrestoi 24 persona të dyshuar për përfshirje në grupet e krimit të organizuar në Ballkan. Në nëntor 2020, shtetasi shqiptar Adriatik Tresa u qëllua me armë zjarri në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tij nga vrasës me pagesë të maskuar si oficerë policie.
Autoritetet ekuadoriane besojnë se Cesar Emilio Montenegro, një anëtar i Cartel del Norte del Valle të Varelas është lidhja kryesore me figurat e krimit shqiptar që operojnë në Amerikën e Jugut. Mes atyre figurave të krimit ishte edhe Agim Çerma.
Çerma, një shtetas shqiptar, u arrestua në korrik të këtij viti në Montería, në veri të Kolumbisë, i dyshuar për dërgimin e kokainës në Evropë me avion privat. Çerma, i cili po përballet me akuza në SHBA, kishte kaluar shtatë vitet e mëparshme duke jetuar në portin detar të Barranquilla-s. Disa javë pas arrestimit të tij, një operacion policor që përfshinte Europolin dhe policinë kolumbiane shkatërroi një rrjet trafiku droge prej më shumë se 60 personash me lidhje me Ballkanin.
Disa muaj më parë, një shtetas malazez i quajtur Ivan Armus u arrestua pasi gjysmë ton kokainë u kap në një varkë me vela në qytetin port kolumbian të Kartagjenës. Armus besohet se ka jetuar në Kolumbi për tre vjet para arrestimit. Hetuesit kolumbianë të lëndëve narkotike thanë për El Espectador/BIRN se ai ishte arratisur nga Spanja në vitin 2018, pasi ishte i implikuar në një vrasje të lidhur me drogën.
Autoritetet thanë se përveç sigurimit të kokainës nga “El Clan del Golfo” i Otoniel, Armus kishte gjithashtu lidhje me guerilasit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në nënrajonin Catatumbo.
“Chiquito Malo” dhe “Tito”
Sipas gjeneralit Jorge Luis Vargas, drejtor i policisë kombëtare kolumbiane, të dërguarit e grupeve mafioze ballkanase do të udhëtonin në vargun malor të Masivit Paramillo dhe Urabá për të negociuar me Otoniel dhe krahun e tij të djathtë, “Chiquito Malo”.
Malo dyshohet se ka luajtur një rol kyç në kontrabandën e 96 tonëve kokainë në SHBA midis vitit 2003 dhe 2021, për të cilën Otoniel dhe partnerja e tij, Ávila Villadiego janë paditur në Nju Jork.
Malo erdhi në vëmendjen e autoriteteve evropiane afërsisht katër vjet më parë, thonë burimet e policisë kolumbiane, gjatë një hetimi ndaj shtetasit boshnjak Edin Gacanin, i njohur ndryshe me pseudonimin “Tito”.
Sipas dokumenteve zyrtare, Gacanin besohet se jeton në Dubai, nga ku mendohet se drejton trafikun e drogës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës Lindore.
Xhaxhai i Gacanin, Mirza Gacanin, u arrestua në qytetin holandez të Bredës në maj 2020 nën dyshimin për pastrim parash. Policia beson se ai ishte i përfshirë në trafikun e kokainës të fshehur mes bananeve që u nisën nga Antioquia, Kolumbia veriperëndimore, dhe u kapën në portin belg të Antverpit.
Agjencitë e zbatimit të ligjit dyshojnë se Malo është lidhja kryesore midis “El Clan del Golfo” dhe mafies ballkanase, dhe jo vetëm nëpërmjet Gacanin.
Autoritetet kolumbiane po hetojnë gjithashtu se çfarë kontaktesh kishte malazezi Tomislav Pavloviç para arrestimit të tij në janar 2019 në një operacion të policisë braziliane të quajtur “Kosto e ulët”. Raportet në Brazil thonë se Pavloviç u takua disa herë me të dërguar të karteleve kolumbiane.
Burime policore në Kolumbi thanë për El Espectador/BIRN se pazaret e drogës bëhen gjatë takimeve ballë për ballë, midis një ose dy të dërguarve të një karteli ballkanas dhe homologëve të tyre kolumbianë në një rajon të largët.
Dërgesat e kokainës zakonisht realizohen me anije mallrash ose aeroplan privat. Në rastin e parë, hetuesit thonë se anijet zakonisht bëjnë ndalesa shtesë, pasi largohen nga portet kombëtare për të “pastruar” origjinën e tyre, duke maskuar pjesërisht faktin se ngarkesa është nga Kolumbia.
Në qershor 2019, më shumë se 15 ton kokainë u kapën në një anije nga Kili që mbërriti në portin amerikan të Filadelfias, sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në SHBA. Nuk u bë publikisht asnjë lidhje midis anijes dhe Kolumbisë apo Ballkanit, por burime të afërta thonë se operacioni i kontrabandës ishte tipik se si bashkëpunojnë mafiet ballkanase dhe ato kolumbiane.
Rruga tjetër më pak e zakonshme është nga ajri. Ky ishte specialiteti i Çermës. I njohur si “Jimmy”, Çerma u përgjua, thonë burimet policore, teksa po shkonte për të takuar drejtuesit e “El Clan del Golfo”./Syri