Plehrat, 10 milionë euro pa garë për Sadri Abazin
Kompania e Sadri Abazit në dy vitet e fundit ka përfituar 10 milionë euro përmes kontratave në fushën e pastrimit të mbeturinave. Ish-deputeti socialist duket se është favorizuar nga disa bashki të vendit, të cilat në të paktën 4 raste i kanë dhënë Abazit kontrata qindra milionëshe për pastrimin e qyteteve, pa asnjë garë, duke e bërë të dyshimtë të gjithë procedurën
Në dy vitet e fundit, kompanitë e Sadri Abazit kanë fituar kontrata me vlerë totale mbi 10 milionë euro në fushën e pastrimit të mbeturinave. Ish-deputeti socialist dhe një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama, nuk ishte në listën zgjedhore të 25 Prillit 2021. Megjithatë, lidhja e ngushtë me Ramën duket se i ka siguruar atij kontrata qindra milionëshe, nëpërmjet procedurave pa garë.
Kompania “Alko Impeks”, e themeluar prej Sadri Abazit dhe e menaxhuar nga familjarë të tij, ka fituar në periudhën 2020-2021 të paktën 4 kontrata në fushën e pastrimit të mbeturinave, me një vlerë totale prej 12.5 miliardë lekë të vjetra ose rreth 10 milionë euro.
Kontrata më e rëndësishme që ka fituar në këtë periudhë është ajo me Bashkinë e Tiranës, për pastrimin e Zonës Tre të qytetit. Tenderi u zhvillua në fillim të vitit 2021 dhe kontrata e përfituar nga “Alko Impeks” është 7.7 miliardë lekë të vjetra. Në këtë tender merrte pjesë edhe “Fusha” shpk, e cila kishte dhënë një ofertë paksa më të lartë. Ndërkohë, “Fusha” fitoi një tjetër lot të këtij tenderi, ku “Alko Impeksi” dha një ofertë pak më të lartë, duke krijuar dyshimet se mes kompanive private kishte një marrëveshje paraprake.
Po ashtu, kompania e krijuar nga ish-deputeti Abazi fitoi së fundmi kontratën me vlerë rreth 1.1 miliardë lekë të vjetra për pastrimin e Elbasanit, nëpërmjet një procedure të udhëhequr nga Komisioni i Prokurimit Publik, i cili dukshëm favorizoi shoqërinë “Alko Impeks”.
Në mesin e vitit 2020, “Alko Impeks” fitoi kontratën e pastrimit të zonës së Golemit në Kavajë, me fond limit 2.5 miliardë lekë të vjetra. Në këtë tender merrnin pjesë edhe dy kompani të tjera, të cilat u skualifikuan nga Bashkia e Kavajës, duke lënë në garë vetëm kompaninë e Sadri Abazit, e cila e fitoi lehtësisht kontratën. Edhe Bashkia e Librazhdit i ka siguruar një kontratë pa garë kompanisë ‘Alko Impeks”, me vlerë rreth 1.2 miliardë lekë të vjetra.
Largimi nga jeta politike aktive e Sadri Abazit duket se nuk e ka penguar aspak në përfitimin e fondeve publike. Përkundrazi, kompanitë private të tij kanë shtuar në llogari kontratat qindra-milionëshe për pastrimin e plehrave në qytetet kryesore të vendit./Syri