Janar 04, 2022 19:48 Europe/Tirane
  • Studimi: Koronavirusi përhapet në zemër dhe në tru brenda pak ditësh

Virusi SARS-CoV-2 mund të përhapet në zemër dhe tru brenda pak ditësh nga infektimi fillestar dhe të mbijetojë për muaj të tërë në organe të ndryshme, sipas një studimi të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA-së (NIH).

Virusi ka aftësinë të infektojë pothuajse çdo organ dhe të përhapet në të gjitha sistemet e trupit, gjë që mund të shpjegojë simptomat e vazhdueshme që shihen te pacientët me sëmundje afatgjatë COVID. 

Studimi, i cili po vlerësohet për botim në revistën Nature, konsiderohet si një nga rishikimet më gjithëpërfshirëse se si virusi riprodhohet në qelizat njerëzore dhe qëndron në trupin e njeriut për një kohë të gjatë.

Studiuesit analizuan biopsi nga materiali i nekropsisë në 44 pacientë që vdiqën nga COVID-19 gjatë vitit të parë të pandemisë.

Pjesë të vogla të virusit u zbuluan në pjesë të ndryshme të trupit duke përfshirë zemrën dhe trurin deri në 230 ditë pas fillimit të simptomave.

Ndryshe nga studimet e tjera të nekropsisë pas COVID-19, ekipi i NIH kishte një proces më të plotë grumbullimi pas vdekjes, i cili zakonisht ndodhte brenda një dite pas vdekjes së pacientit. 

Studiuesit përdorën gjithashtu mënyra të ndryshme për të ruajtur indet për të zbuluar virusin. 

Përveç kësaj, ata ishin në gjendje të zhvillonin virusin e mbledhur nga inde të ndryshme, duke përfshirë zemrën, mushkëritë, zorrën e hollë dhe gjëndrat mbiveshkore.

Sipas autorëve, rezultatet e përgjithshme të studimit tregojnë se ndërsa ngarkesa më e lartë e virusit SARS-CoV-2 gjendet në rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë por virusi mund të përhapet herët në fazat e hershme të infeksionit dhe të infektojë qelizat në të gjithë trupin duke përfshirë trurin.Raina MacIntyre, PhD, profesore e biosigurisë globale në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor, vuri në dukje se efektet e barrës kronike të COVID-19 në vitet e ardhshme mbeten të panjohura. 

Pyetjet e deritanishme pa përgjigje rreth komplikimeve afatgjata kërkojnë një strategji parandaluese të shëndetit publik për të zbutur përhapjen e virusit./Syri