Shkurt 09, 2022 09:48 Europe/Tirane
  • A mund ta ndihmosh? Gratë që kujdesen për gratë-Nga Evis Nasto

A mund ta ndihmosh? Është vetëm 28 vjeç dhe spitalin e kishte bërë si strehezën e saj të dytë sa herë që dhunohej nga bashkëshorti.

Nënë e 2 fëmijëve, Ornela gjeti forcën të largohej nga dhunuesi i saj, kur këmbanat e alarmit për shëndetin nisën të binin fort. Ajo ka shpëtuar tashmë nga skllavëria e një burri të dhunshëm, por mbi shpatullat e saj ende rëndon pesha e varfërisë, sepse zgjedhja për të jetuar e lirë bashkë me dy fëmijët në mungesë të mbështetjes së familjes, është e  kripur. Ka një mal me fatura për të paguar.

‘Kur e nisëm këtë projekt në Maj të 2020-ës menduam se do të ishte e vështirë të nxisnim kulturën e dhurimit përmes kësaj pyetje të thjeshtë: A mund ta ndihmosh?’ – kujton Marinela Seitaj koordinatore pranë Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), e cila ka ndjekur nga afër nismën që prej krijimit të platformës së pagëzuar me emrin ‘Ajo tregon’ në rrjetet sociale. Kjo jo për faktin se në vendlindjen e humanistes së madhe Nënë Tereza, mungon filantropia, por sepse biznesi shqiptar pësoi dy goditje të njëpasnjëshme në fillim me tërmetin e 2019-ës dhe më pas me pandeminë. Tashmë që kanë kaluar 10 muaj prej krijimit të platformës, Marinela nuk fsheh befasinë për rezultatin e arritur.

‘Qendra GADC ka shërbyer vetëm si urë lidhëse midis grave sipërmarrëse që ishin të gatshme të jepnin mbështetjen e tyre për të tjera gra që ndodheshin në vështirësi dhe që pranuan të rrëfejnë historitë e tyre në platformën ‘Ajo Tregon’ – nënvizon koordinatorja e nismës. Kjo hapsirë virtuale pikëtakimi i dha zë vuajtjeve të grave që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, gra invalide apo gra që kanë humbur gjithçka pas tërmetit, që janë divorcuar dhe jetojnë me qera, që përpiqen çdo ditë t’ia dalin duke u mbështetur tek fuqia e dashurisë për fëmijët e tyre. Drejtorja ekzekutive e GADC, Mirela Arqimandriti bën me dije:

 ‘Ne kemi identifikuar tashmë 25 gra, shumica prej të cilave vijnë nga situata të rënda me dhunën në familje. Ato janë shkëputur nga dhunuesit, por rruga që kanë përpara është e vështirë’ – shpjegon znj. Arqimandriti. ‘Ndihmat që janë arritur të sigurohen janë të ndryshme, ashtu sikurse dhe nevojat e këtyre grave’ – shton më tej ajo – ‘që nga shportat e ushqimeve, veshëmbathje, tekste mësimore, pajisje shkollore e deri tek pagesa e qerasë së shtëpisë’.

Falë kësaj ndihme Arbana, Eglantina, Haxhirja, Lulja, Merita, Martina e shumë të tjera kanë tashmë më tepër shpresë dhe besim për të larguar mendimet e zymta për të nesërmen. Kjo jo sepse problemet e tyre u zgjidhën me një pulitje qepallash nga ndihma që morën, por sepse tashmë ato e dinë që ekziston dikush që kujdeset për to. Duke qenë të bindura se numri i grave që kanë nevojë të ndihmohen është ende i madh, koordinatorja e projektit, Marinela Seitaj bën me dije se projekti vijon ende, ndaj çdo vajzë apo grua në nevojë që mendon se nuk ka një derë ku të trokas, le të hyjë në platformën aktive në Facebook dhe Instagram, le të kontaktojë në numrin e vendosur në dispozicion +355 69 776 3997 sepse do të ketë një vesh për ta dëgjuar dhe një shpatull ku të mbështetet për çka mundet të ofrohet!/syri/