Një sëmundje e re misterioze e mëlçisë është zbuluar tek fëmijët
Zyrtarët shëndetësorë kanë regjistruar disa raste të sëmundjes misterioze të mëlçisë tek fëmijët, e cila fillimisht u zbulua në Britaninë e Madhe, e më pas u përhap në Evropë dhe SHBA.
Javën e kaluar, zyrtarët britanikë raportuan 74 raste të hepatitit ose inflamacionit të mëlçisë të zbuluar tek fëmijët që nga fillimi i këtij viti.
Sipas raportimeve të mediave, viruset e zakonshme që shkaktojnë hepatitin infektiv nuk janë vërejtur në këto raste, ndaj shkencëtarët dhe mjekët po shqyrtojnë burime të tjera të mundshme, përfshirë Covid-19, viruse të tjera, si dhe faktorë mjedisorë.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) njoftoi sot se janë zbuluar raste të reja të hepatitit në Danimarkë, Irlandë, Holandë dhe Spanjë.
Nuk është bërë e ditur se sa raste janë zbuluar.
Në deklaratë thuhej se zyrtarët amerikanë kishin regjistruar nëntë raste të hepatitit tek fëmijët e moshës një deri në gjashtë vjeç në shtetin e Alabama./Syri