Vdekjet ditore nga Covid arrijnë në pikët më të ulët globale
Vdekjet ditore nga Covid-19 kanë rënë në pikën më të ulët që nga fillimi i pandemisë dhe ekspertët thonë se është “diçka për t’u festuar”.
Mesatarja 7-ditore e fataliteteve ishte 2,813 të dielën, sipas platformës globale të kërkimeve Our World In Data (Bota Jonë në Shifra), më e ulëta që nga 28 marsi 2020 (2,735).
Mesatarja ditore e vdekjeve shkoi 14,500 gjatë fazës më të errët të krizës në janar 2021 dhe arriti në 10,900 në kulmin e variantit Omicron në shkurt të këtij viti.
Shkencëtarë të nivelit të lartë thonë se rënia e vdekshmërisë është një kombinim i efekteve të valëve të përsëritura të virusit, shkalla e lartë e vaksinimit dhe versionet më të buta që qarkullojnë aktualisht.
Në gjithë botën janë konfirmuar 6.2 milion vdekje nga Covid në dy vitet e para të pandemisë. SHBA ka rekordin me 990,000, ndjekur nga Brazili (660,000), India (520,000) dhe Rusia (365,000).
Në raport me popullsinë, Peruja ka pësuar më tepër vdekje, me 6,374 për milion banorë që nga nisja e krizës, ndjekur nga Bullgaria (5,334), Bosnjë Hercegovina (4,826) dhe Hungaria (4,761).
Të dhënat nga platforma Our World in Data e Universitetit të Oxfordit tregojnë se vdekshmëria ditore ka kurbë në rënie që nga 10 shkurti, kur pati mesatarisht 10,918 vdekje nga virusi./Syri