May 01, 2022 20:29 Europe/Tirane
  •  Ky është vendi i parë që pezullon vaksinimin anti-Covid

Pandemia, në shumë vende evropiane, përfshi edhe vendin tonë, ka filluar të zbehet. Efekti i vaksinave, së bashku me imunitetin e fituar gjatë këtyre viteve dhe variantet më të lehta të Covid-19, kanë lejuar një relaksim të masave shtrënguese.

Duke parë një situatë të tillë, Danimarka ka vendosur që të pezullojë edhe vaksinimin e popullsisë. Vlen për t’u theksuar gjithashtu se vendi skandinav ishte i pari që shpalli fundin e emergjencës shëndetësore, në fund të janarit të këtij viti.

 

Aktualisht, Danimarka ka hequr të gjitha masat kundër koronavirusit. Qeveria daneze, pasi siguroi që pandemia ishte nën kontroll dhe duke marrë si referencë përqindjen e lartë të vaksinimit, vendosi përfundimin përkohësisht të fushatës së vaksinimit. “Po përfundojmë programin e vaksinimit masiv kundër COVID-19”, tha drejtoresha e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Bolette Soborg.

Në Danimarkë, rreth 81% e popullsisë (gjithsej 5,8 milionë banorë) janë vaksinuar plotësisht, ndërsa 61,6% kanë marrë dozën përforcuese. Të dhënat në këtë vend tregojnë për një rënie të numrit të infeksioneve, ndërsa të dhënat e shtrimit në spital mbeten të qëndrueshme. Do të jetë data 15 maj kur do të përfundojë fushata e vaksinimit, e cila do të rikthehet pas verës, sipas Ministrisë Daneze të Shëndetësisë.

 “Ne planifikojmë të rihapim programin e vaksinimit në vjeshtë. Kjo do të paraprihet nga një vlerësim i plotë profesional se kush dhe kur duhet të vaksinohet dhe me cilat vaksina,” tha Soberg.

Pas ardhjes së variantit Omicron, Danimarka përshpejtoi fushatën e imunizimit, duke injektuar një dozë të katërt për grupet me rrezik më të lartë./Syri