Më 1 shtator 1928, Ahmet bej Zogolli u shpall 'Mbret i shqiptarëve'
Më 1 shtator 1928, Ahmet bej Zogolli u shpall "Mbret i shqiptarëve" nga Asambleja Kombëtare.
Zogu u lind në Burgajet të Matit. Ciklin e ulët të shkollimit do ta kryente në vend, ndërsa studimet do t'i thellonte në “Numenu Tereki”, në shkollën e oficerëve në Stamboll e më pas në liceun francez të Gallatasaraj. Imazhi i tij do të shpërfaqej gjatë momentit të shumëkërkuar të pavarësisë më 1912-n, kur ai bëhet pjesë e Kuvendit të Vlorës.Me vullnetarët e tij shtypi kryengritjen e Shqipërisë së Mesme gjatë qeverisë së Vidit, duke e përkrahur këtë të fundit deri në ikjen e tij. Krahas zhvillimeve politike në vend, figura e tij do të spikaste për reagimin e shpejtë. Zogu do të luante një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Kongresit të Lushnjes, do të mandatohej si ministër i Brendshëm dhe në këtë cilësi do të shtypte me lehtësi Kryengritjen e Mirditës.
Në vitin 1924 largohet në mërgim drejt Jugosllavisë dhe rikthehet në dhjetor të po atij viti. Në janar 1925 shpallet Republika dhe Zogu zgjidhet president. Gjatë kësaj periudhe u miratua Kodi Penal.
Me ndryshimin juridik të kalimit nga "Republikë parlamentare" në "Mbretëri", në Shqipëri do të rikthehej stabiliteti, ndonëse i brishtë nga varësia financiare prej Italisë.
Në mbretërimin e tij, vendi u karakterizua nga zhvillimi i ekonomisë, i kulturës dhe i artit, duke i dhënë shoqërisë shqiptare një fizionomi europiane. U hartua Kodi Civil dhe Kodi Tregtar, si një rregullator i funksionalitetit të shtetit në baza moderne, në dallim nga tradita e administratës osmane.
Zogu do të largohej nga vendi vetëm pasi Italia do të pushtonte Shqipërinë më 7 prill 1939. Më poshtë, një foto e Mbretit Zog, dokumenti i vendimit të Asamblesë për shpalljen "Mbret", si edhe emërimi në këtë detyrë në fletoren zyrtare.