Albanologjia, dashuria ime! Ju rrëfej si ka ndryshuar arvanishtja
Një studiues nga Greqia që i dedikon jetën gjuhës së arbërve të emigruar tej trojeve të të parëve.
"Gruaja ime me të drejtë dëshiron të ketë divorc sepse unë jam i martuar me albanologjinë dhe nuk e lë derisa të vdes", thotë akademiku Titos Jochalas.
Nga gjuha greke tek albanologjia. Janë mbi 5 dekada histori të shënuara në studime albanologjike, të Akademikut të Nderit Titos Jochalas, që këtë vit ka mbushur të 80-tat. Kontributi i tij mbi gjysmëshekullor, u kujtua në kuadër të 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave, mbështetur në dy shtylla kryesore, atë të studimeve të arbëreshëve, arvanitasve e lidhjet mes tyre. Në retrospektivë akademiku, përpiqet të kujtojë, se çfarë e nxiti drejt këtij rrugëtimi, kur i ri e me perspektivë, si lektor i Universitetit të Palermos, kishte përpara zgjedhje të pafundme.
"Kur kam qenë student në Athinë njoha një grek që më foli shumë mirë për albanologjinë. Pastaj vajta në Itali, në Palermo, ku u njoha me jetën arbëreshe dhe me Zef Valentinin dhe thashë: Unë do të merrem me Albanologjinë", shprehet akademiku.
Për dëshmimin e trashëgimisë gojore të Arvanitasve, monografitë shumëvëllimore që rizgjojnë të folmen e këtij komuniteti, por edhe shumë të tjera mbi arbëreshët, Gjergj Kastriotin, Ali Pashën...Akademia premton se pas librit “Albanologu i arvanitëve” veprën e Jochalas, që meriton të jetë e plotë në shqip, do nisë ta sjellë përmes 4 vëllimeve. Ndërsa, se sa ka mbetur sot, nga arvanishtja dhe ndryshimet e saj akademiku Jochalas e shpjegon kështu:
"Si e dini jeta e re, me ndryshimet sociale ka ndikuar shumë që të humbasin, jo vetëm arvanitishtja por edhe gjuhë të tjera që fliteshin në shtëpi... E tani, mbetet vetëm gjuha e studimit"
Studiuesi Bardhyl Demiraj, teksa e cilësoi akademikun si “Prometeun që solli zjarrin e gjuhës së arvanitasve", u shpreh se edhe Katedra e Gjuhës Shqipe në Mynih, do bëj përpjekjet për një fjalor me përmbledhjet e shpjegimet e fjalëve ndër vite të Jochalas./shqiptarja/