Nëntor 28, 2022 06:56 Europe/Tirane
  • Tavë kosi me mish pule, ja si të përgatisni vaktin e shijshëm

Kjo është receta e një gatimi special që mbush shtëpinë me aromë të mrekullueshme, e gjithashtu me dëshirën për ta shijuar me njëherë.

1 pulë e freskët ose 4-5 thela mish pule

150 gramë gjalpë (për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit)

4 kokrra vezë të freskëta

1200 ml kos i freskët

4 lugë gjelle miell

2 lugë gjelle me oriz

Kripë

Piper

Majdanoz

Përgatitja e Mishit

Si fillim bëjmë gati mishin e pulës. E pastrojmë mirë me ujë të bollshëm dhe e vendosim të prerë në copa në tavë ose nëse dëshironi pulën mund ta lini të plotë, të paprerë.

Tavën e vendosim në furrë që të piqet dhe e lëmë derisa pula të marrë ngjyrën e kuqërremtë të pjekjes.

Gjatë kohës së pjekjes kontrollojeni mishin herë pas here duke e spërkatur nga sipër me lëngun e vet.

Pasi është pjekur e heqim nga furra dhe përgatisim salcën me kos.

Përgatitja e Salcës me Kos

Kujdesemi që lëngun e mbetur në tavën e mishit të pjekur ta heqim mënjanë pasi do të përdoret për përgatitjen e kosit

Vendosim një tenxhere në zjarr dhe shkrijmë gjalpin.

Hedhim miellin dhe e kaurdisim bashkë me gjalpin.

Në momentin që mielli zverdhet pak, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni me ngadalë lëngun e mishit (të cilit i hedhim edhe pak ujë shtesë)

Trazojmë me lugë druri dhe pa ndalesë në mënyrë që të shmangim krijimin e kokërrizave.

Pasi masa bëhet e njëtrajtshme e lëmë të vlojë pak dhe kur salca të jetë trashur e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.

Më pas, në një tas hedhim hedhim vezët dhe i rrahim fort derisa të njëtrajtësohen.

Shtojmë kripën, piperin, pak gjalpë, orizin dhe kosin dhe i përziejmë të gjitha bashkë.

Më pas, shtojmë salcën me miell dhe vijojmë t’i përziejmë derisa masa të jetë unison.

Përgatitja e Tavës

Në tavën ku kemi pulën e pjekur shtrojmë salcën e përgatitur të kosit.

Sipër i hedhim pak gjalpë të freskët të prerë në copëza të vogla.

Ndërkohë sigurohemi që furra të jetë e nxehtë në 200 gradë dhe fusim tavën të piqet përreth 30 minuta derisa në sipërfaqe të marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Pasi fikim furrën, tavën e lëmë edhe pak për t’u mpiksur mirë në nxehtësinë e sobës e më pas e servirim të ngrohtë duke e spërkatur me majdanoz të grirë hollë./shqiptarja/