Dhjetor 19, 2022 08:23 Europe/Tirane
  • Enver Hoxha: Shoku Ramiz, Austit do t’i thuash, se...

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj.Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.

Dokumenti sekret me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 15 maj 1982, lidhur me takimin e Ramiz Alisë me Ernst Aust, kryetar i partisë marksiste-leniniste të Gjermanisë Perëndimore dhe situatën hidroenergjetike të vendit tonë

TAKIMI DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 15 MAJ 1982

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo, tha Austi, na krijoi ca vështirësi, por nuk them që patjetër të më jepni përgjigje. Vetëm desha të shpreh, situatën që u krijua tek ne për këtë çështje. Unë i thashë se do t’i përgjigjemi, vetëm kaq dhe nuk i thashë gjë më tepër.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ja, i thuaj që nuk ishte thjesht vetëm çështje familjare, por edhe politike.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po.

SHOKU ENVER HOXHA: Ishte një shprehje e një qëndrimi politik, të caktuar kundër vijës së Partisë që ai lidhi krushqi me një familje që kishte shumë njerëz të afërt, të arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kaq. Ne, e kritikuam për këtë gabim dhe ai vrau veten.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti, ti flasësh për lidhjen e kësaj krushqie. Austi, këto i ka marrë vesh pasi janë të njohura. Ai e bëri këtë krushqi, do ti thuash, dhe kjo nxori në shesh shumë gjëra të tjera. Pra për këtë çështje, kaq do t’i zbulosh.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, kaq.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë, do t’i theksosh se e vërteta është siç thotë komunikata, që Mehmet Shehu vrau veten gjatë një depresioni nervor. Nuk ka asgjë tjetër. Kështu, kështu, mirë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mua, më duket mirë në përgjithësi.

SHOKU ENVER HOXHA: Për kosovarët, foli gjë?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, nuk foli.

SHOKU ENVER HOXHA: I mbron ai kosovarët?!

SHOKU RAMIZ ALIA: I mbron shoku Enver, madje ka shkruar në gazetë faqe të tëra për ta.

SHOKU HEKURAN ISAI: Shokët marksistë leninistë gjermanë, kanë dërguar dhe përfaqësuesit e tyre, në mbledhjet që kanë bërë kosovarët.

SHOKU ENVER HOXHA: Ka disa gjëra, mund ti thuash Austit, që ne nuk i botojmë dot, siç është fjala për një letër që na kanë drejtuar, pavarësisht se ka e kanë çuar kosovarët në mërgim.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po.

SHOKU ENVER HOXHA: Pra çështja që ngrenë ata, i thuaj që është e drejtë. Kosovarët, i kanë drejtuar një letër, si qeverisë sonë, ashtu edhe qeverisë jugosllave, OKB-së, etj, me anë të së cilës kërkojnë të kthehen në atdheun e tyre.

Nëse të pyet po ta them në esencë, pse bëhet problem vetëm largimi i serbëve dhe malazezëve nga Kosova, kurse për qindra mijëra shqiptarë, nuk interesohet njeri?! Këtë letër pra, ne s’mund ta botojmë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po.

SHOKU ENVER HOXHA: A mund të gjeni ndonjë në Gjermani, që ta botojë, u thuaj shokëve gjermanë, pasi ajo nuk njihet për publikun e gjerë dhe mbahet e fshehur nga të gjithë?! Këtu nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme.

Gazeta mund ta marrë vesh ekzistencën dhe përmbajtjen e saj në shumë rrugë, pasi vetë kosovarët e kanë bërë dhe e kanë dërguar atë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Atë, na e dorëzuan vetë kosovarët.

SHOKU ENVER HOXHA: Ata pra, kanë bërë një peticion.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këtë peticion ata, mund t’ja dërgojnë çdo organi shtypi të huaj, për botim. Nuk ka asgjë të keqe, që të bëhet kjo. Kurse botimi i tij në shtypin tonë, është i vështirë se na ndërlikon.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu është na ndërlikon, megjithëse neve na intereson që ajo të botohet në shtypin e huaj, pasi bëhet e njohur për opinionin publik.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është.

SHOKU FOTO ÇAMI: Mund të bëjmë dhe ne ndonjë gjë tjetër me anë të tyre, por puna është që fillimisht ta botojë dikush tjetër.

SHOKU ENVER HOXHA: Puna është që të përpiqen ta botojnë në ndonjë gazetë, se pastaj atë e marrin dhe e botojnë të gjithë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po pastaj e marrin dhe të tjerët, dhe nga ata mund ta marrim edhe ne.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, e marrim edhe ne.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po të botohet në ndonjë organ shtypi, ne e botojmë atë në rubrikën “Shtypi i huaj për ngjarjet në Kosovë”.

SHOKU ENVER HOXHA: Në të, nuk do të përmendet që kjo letër, i është drejtuar dhe qeverisë së Shqipërisë, por që u është drejtuar qeverive të tjera, kjo edhe mund të thuhet.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, ashtu duhet bërë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po për ndonjë gjë tjetër çfarë mund t’ju themi gjermanëve?! Ne, mund t’ju flasim për letrën që i bëmë Gjermanisë Perëndimore për, problemin e bisedimeve të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, duke i theksuar se po vëmë në dijeni dhe shokët gjermanë për këtë çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, për këtë çështje ju fola dhe unë pak dje.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe ua thuaj haptazi që përgjigja e qeveritarëve gjermano-perëndimorë, është e papranueshme për ne. Ne ishim të prirur pozitivisht për vendosjen e marrëdhënieve me Republikën Federale Gjermane, por mënyra sesi ata problemin e rishikimit të çështjeve të mbetura pezull, pa përmendur reparacionet, është e papranueshme për ne dhe nuk ka kuptim.

Çfarë bisedimesh kërkojnë të bëjnë gjermanët me ne, qoftë në Paris, qoftë në Beograd, apo në Stokholm?! Këtë ata, nuk e specifikojnë.

Se kur mund të vendosim marrëdhënie diplomatike në rang ambasadorësh, mjafton të caktojmë afatin, të biem dakord të dy palët, dhe të shpallim komunikatën. E bëjmë, siç e kemi bërë me Japoninë. Japonezët e botuan komunikatën në Tokio, ndërsa ne në Tiranë, dhe hymë në marrëdhënie diplomatike.

Po kështu, mund të veprohet dhe me Gjermaninë. Prandaj bisedimet që gjermanët thanë që t’i bëjmë në Paris, për çfarë janë?! Çfarë bisedimesh kërkojnë të bëjnë ata?! Nëse ata kërkojnë të bëjnë bisedime për ato që themi ne, atëherë është ndryshe. Po ata nuk e thonë këtë, dhe presin që t’jua themi ne. Dhe ne, jua themi. Por kështu kjo punë, nuk ka fund as sot, as nesër.

SHOKU HEKURAN ISAI: E prenë tani në fund ata.

SHOKU ENVER HOXHA: Përfaqësuesi ynë, nuk i është përgjigjur si duhet gjermanit i cili, bëri një sondazh.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Në fakt ai, ka bërë sondazh.

SHOKU ENVER HOXHA: Sondazhi qëndronte këtu, që në rast se nuk doni t’i bëjmë bisedimet në Paris, ikim i bëjmë në Beograd, nëse nuk doni në Beograd, atëherë ikim në Stokholm, po të doni.

Por përfaqësuesi ynë, duhet t’i kishte thënë se nuk qëndron problemi te zgjedhja e vendit, por tek përgjigja dhe sqarimi i atyre që do të diskutojmë për ngritjen e marrëdhënieve.

Për këtë gjë ata, nuk na u përgjigjën siç duhet. D.m.th., përfaqësuesi gjerman, e la çështjen vetëm tek zgjedhja e vendit, sipas dëshirës sonë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Në fazën e parë kjo çështje, neve na u paraqit pozitivisht. Afërsisht u bisedua sesi do të ndodhte. Nuk e di se me kë ka qenë Musin Kroi në bisedime, ka qenë vetëm apo me përkthyes?!

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, ka qenë me Ëngjëll Kolanecin.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ëngjelli, ka qenë tani në fund. Unë di, që më përpara nuk ka qenë me Ëngjëllin.

SHOKU RAMIZ ALIA: Në fillim kur nuk ishte Ëngjëlli, ka qenë vetëm, kurse tani në fund ka qenë me të.

SHOKU HEKURAN ISAI: Varet, sesi e kupton gjermanishten ai?!

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk e di unë, por çështja është që gjermanët janë diplomatë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, duket qartë kjo.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk më kujtohet mirë por gjermani i tha tonit dy fjalë, dhe ambasadori ynë që vdiq ishte pak i ngurtë por dhe i lëshuar. Pra dy axhektive lëshoi ai për të. Sesi i kishte vënë ato dy fjalë ai?!

Edhe e rëndonte atë, se ishte korrekt. Nga ana tjetër nuk e di por……. Ja, merre telegramin. Janë dy axhektive të kundërta. Kur i lexova, mendova menjëherë që ata edhe mund ta miratojnë, por edhe mund të mos e miratojnë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, kështu është.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë e lëmë çështjen, kuptojeni si të doni ju.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po.

SHOKU ENVER HOXHA: Sepse ai ashtu tha “Na besoni neve”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu ka thënë ai.

SHOKU ENVER HOXHA: Këtë gjë s’duhet ta bëjmë ne atje, tha, por e lëmë ashtu.

SHOKU RAMIZ ALIA: I shikoni pak më mirë, ato që keni biseduar më përpara.

 

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe kur i bëri pyetjen e fundit gjermani, përfaqësuesit tonë, prapë i la të kuptohet se diçka do të bëhet. Kështu del kjo. Nesti Nase, ta studiojë mirë dhe siç duhet telegramin. Se po të mos e studiojë mirë, nuk mund të nxjerrë konkluzione ai.

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Po nuk i studioi mirë, i merr të shkëputura gjërat.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ashtu është, i merr të shkëputura. A ngriti ndonjë problem tjetër shoku Ernst Austi?! A do të shkojë gjëkundi?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, sot do të shkojë në Koman.

SHOKU ENVER HOXHA: Ne, mund të bisedojmë pak me të, dhe për çështjet ekonomike. Shkëmbimet që po bëjmë me Gjermaninë Perëndimore, janë akoma të pakta, dhe më duket se arrijnë në 80 ose 90 milionë dollarë.

Mundësisht shoku gjerman, të na shprehë mendimin e tij për perspektivën dhe mundësinë e këtyre shkëmbimeve në të ardhmen, si dhe në ç’drejtim mund të jemi më të favorizuar me çmime, me Gjermaninë Federale?!

D.m.th., të na thotë se çfarë mund të shesim në radhë të parë në Gjermani, dhe pastaj çfarë të blejmë, çfarë mund të blejë Gjermania nga ne, dhe kush mund t’i blejë?!

Cila zonë e Gjermanisë, mund t’i blejë?! Se ndryshe është realiteti ekonomik i këtij vendi. Atje ka firma dhe kërkesa të ndryshme. Për artikujt tanë, qofshin këto të industrisë së rëndë, qofshin të bujqësisë apo artizanatit, duhet të dimë se ku mund të futemi më mirë dhe në ç’drejtim.

Megjithatë për cilësinë e objekteve që mund të blejmë në Gjermaninë Perëndimore dhe për teknologjinë e tyre, në raport me ato të vendeve të tjera, ne mund të marrim një mendim nga shoku gjerman, nëse ai i njeh këto probleme.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po.

SHOKU ENVER HOXHA: Me këtë rast do të shohim sesi e mbështesin këta njerëz, punën e Partisë. D.m.th., me ç’sy i vlerësojnë tendencat në trustet apo në fabrikat e ndryshme?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, në zgjerimin ekonomik./shqiptarja/