Kthimi i serbes Dragica Gashiq në Gjakovë nxit reagime, qeveria hesht
Kthimi i Dragica Gashiqit, me përkatësi serbe, për të jetuar në Gjakovë ka nxitur reagime brenda kësaj komune, por një protestë para banesës së saj nga ana e familjarëve të personave të pagjetur, e paralajmëruar për të hënën, është anuluar.
Dragica Gashiq thotë se po përballet me sulmet nga ana e bashkëqytetarëve, por ajo ka vendosur të jetojë në Gjakovë.
Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, thekson se nuk do të lejojnë serbët të kthehen në Gjakovë.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, shpreh mendimin që kthimi i cilitdo të zhvendosur, nuk duhet të kushtëzohet. Organizatat joqeveritare, në nivelin qendror të vendit dhe as Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk kanë reaguar lidhur me këtë rast.
Dragica Gashiq, më 6 qershor të këtij viti, është kthyer në Gjakovë, si personi i parë nga komuniteti serb që është kthyer në këtë qytet, pas luftës së vitit 1999, kur ajo ishte zhvendosur nga aty. Ajo nuk planifikon që të largohet më sepse “është plotësuar dëshira e saj që të kthehet në Kosovë”. Ajo deri më tani ka jetuar në Serbi.
Në një deklaratë për REL, Gashiq shprehet se askujt nuk i ka bërë asnjë të keqe dhe se do t’u bëjë ballë të gjitha tundimeve.
Por, ajo thotë se për të është i rëndë fakti që është e padëshirueshme në Gjakovë dhe që, siç thotë ajo, bashkëqytetarët e saj “e sulmojnë” gati se çdo ditë.
“Unë e lajmëroj policinë se më sulmojnë, se më gjuajnë, që më qëllojnë, që më ngjitin fotografi të ndryshme në dyert të banesës, ata më trokasin në derën e banesës, të cilës i është zbehur ngjyra si një trëndafil. Po e godite me një shqelm do ta shkallmoni”, tha Gashiq.
Ajo shtoi se pa përcjellje të Policisë së Kosovës nuk shkon as në shitore, ndërkohë që shpreson që kjo situatë të ndryshojë, sepse, siç thotë ajo, vitet më të mira i kishte kaluar pikërisht në Gjakovë, në të cilin qytet kishte ardhur nga Klina fqinje, kur ishte vetëm 18 vjeçe.
Dragica Gashiq sqaron se para luftës dhe para se të zhvendosej nga Kosova, kishte punuar në Polici të Serbisë, në Gjakovë, por vetëm si pastruese e objektit.
Ajo shton që nuk e ka të qartë se pse dikujt i pengon fakti që ajo është kthyer në banesën e saj.
“Unë e di që askujt nuk i kam bërë asgjë të shëmtuar. I kam lindur dy fëmijë këtu”, tha ajo.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, më 28 qershor është takuar me Dragica Gashiqin në Graçanicë, në afërsi të Prishtinës. Pas këtij takimi, ai ka thënë që “shteti i Serbisë, Zyra për Kosovën dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të bëjnë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që Dragica Gashiqit t’i mundësohet jeta e dinjitetshme e njeriut”.
Megjithatë, Dragica Gashiq, tashmë nuk është e sigurt për asgjë, e as për premtimet që ditëve të fundit i japin shumë njerëz.
“Më kanë premtuar gjithçka, që nga kamerat në hyrje të banesës. Më kanë premtuar gjithçka, por se a do të përmbushen ato ose jo, nuk e di, vetëm t’ju gënjej”, u shpreh ajo.
Gashiq, tash e disa vite më parë, ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Pronave (Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës) që të lirohet banesa e saj në Gjakovë. Tashmë kjo i është mundësuar. Siç tha ajo, banesa e saj është uzurpuar për disa vite./telegrafi/