Aksion në Ministrinë e Bujqësisë në Kosovë, shtatë të arrestuar
Policia e Kosovës ka përfunduar aksionin te Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe ka vënë në pranga shtatë zyrtarë.
Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të aksionit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike me Prokurorinë, i cili po zhvillohet në disa qytete të Kosovës. Aksioni është zhvilluar nën dyshimet për marrje ryshfeti në ndarje të subvencioneve.
Kujtojmë se Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka paralajmëruar mbrëmë se prokuroria dhe organet e ndjekjes nuk do të ndalen deri në zbardhjen e rasteve abuzive në ministrinë që drejton.
Peci në një dalje televizive ka konfirmuar se është kontaktuar nga organet e krimeve ekonomike dhe se do të vazhdojë të ofrojë informacione lidhur me keqpërdorimet në ministri.
“Në kategorinë e subvencioneve është borxhi i madh, involvimi i zyrtarëve që një numër i konsiderueshëm i tyre janë me aktakuza të ngritura, një numër janë nën hetim dhe në paraburgim dhe sipas të gjitha gjasave ka indikacione që kjo nuk përfundon me kaq sepse vala e parë dhe e dytë e arrestimeve në të kaluarën mund të prek edhe zyrtarë të tjerë dhe kjo e vështirson punën në ministri. Unë po supozoj që fakti që aty ka ekzistuar një zinxhir në ndërmarrjen e veprimeve në marrje dhe dhënie ryshfeti unë besoj që prokuroria nuk kanë me u ndalë deri në zbardhjen e rasteve”, tha Peci.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për askionin “Subvencioni 2021”, i cili la të arrestuar shtatë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Zyrtarët e arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti në ndarjen e subvencioneve.
Ndërsa në reagimin e tij, ministri Sveçla ka thënë se Subvencionet u takojnë bujqve.
Postimi i tij i plotë:
Luftimi i krimit dhe korrupsionit mbetet “Top” Prioritet i MPB-së!
Për gati 100 ditë, dinamika jonë e angazhimit e lartë, si në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Ky angazhim, do të vazhdoj të rritet tutje, duke prodhuar rezultate konkrete çdo ditë për qytetarët tanë.
Kemi sfida të mëdha para vetes, por mbesim të palëkundur në luftën e pa-kompromis kundër krimit, korrupsionit e keqpërdoruesve të detyrës zyrtare.
Subvencionet u takojnë bujqve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar rreth aksionit të sotëm te Ministria e Bujqësisë ku janë arrestuar shtatë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë .
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në bazë të kërkesës së Prokurorit të Shtetit dhe urdhëresës së Gjykatës kompetente, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke u realizuar aksioni, si vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 24 shkurt 2021, rasti “Subvencioni 2021”.
“Lidhur me zhvillimet e këtij aksioni do të njoftoheni me kohë”, bën të ditur prokurori./parstoday/