Qershor 28, 2021 10:05 Europe/Tirane
  • Von Der Leyen mirëpret angazhimin e Kurtit në dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër urimi nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen ka thënë se perspektiva kredibile e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për Komisionin. “Ne dëshirojmë që ta shohim avancimin më të shpejtë të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe do të vazhdojmë ta mbështesim progresin e arritur në reformat që i kërkon kjo”, ka shkruar ajo dhe ka shtuar se “duke e njohur rëndësinë që e ka për qytetarët e Kosovës, ne do të vazhdojmë të avokojmë për një vendim pozitiv të BE-së për liberalizimin e vizave”, ka thënë ajo. BE-ja, sipas von der Leyen, gjithashtu qëndron përkrah Kosovës dhe popullit të saj në luftën kundër pandemisë dhe mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike edhe nëpërmjet Planit për Ekonomi dhe Investime për vendet e Ballkanit Perëndimor, të miratuar në muajin tetor të vitit 2020. Presidentja e Komisionit Evropian thekson se e mirëpret zotimin e kryeministrit Kurti për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun Beograd-Prishtinë, të lehtësuar nga BE. Ursula von der Leyen shprehet se është thelbësore që takimi tjetër i nivelit të lartë i dialogut të mund të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo, sipas saj, është thelbësore për progres në rrugën përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe për qytetarët e dyja vendeve. “Pres me padurim që të punojmë së bashku për avancimin e marrëdhënieve BE-Kosovë”,  ka përmbyllur letrën presidentja von der Leyen./parstoday/