Korrik 08, 2021 09:14 Europe/Tirane
  • Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë

Kuvendi i Kosovës maratoi në seancën e sotme Rezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë. Deputetët ftuan institucionet shtetërore të nderojnë viktimat duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian datën 11 korrik e ka shpallur ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Pika e parë e rezolutës konstaton dhe pranon se, pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat ushtarake të URS, të njëjtat për disa ditë kanë kryer masakra në Srebrenicë dhe rrethinë, duke vrarë e masakruar mbi 8,000 burra, djem dhe të mitur boshnjakë. Kurse, pika e katërt thotë se, “ndjen dhe shprehë pikë pikëllimin e thellë për njerëzit e pafajshëm që kanë pësuar në gjenocidin e Srebrenicës, gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ju shpreh ngushëllime anëtarëve të mbijetuar të familjeve”.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili e konsideron këtë veprim fisnik dhe të duhurin. Ai shtoi se masakra e Srebrenica është një ndër më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore dhe se duhet të marri dënimin e merituar.

“Ky është veprimi fisnik e i duhur, jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që i përfaqësoni, por mbi të gjitha në emër të universales tonë njerëzore, dëshirës sonë për paqe dhe drejtësi. Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin Evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i krimeve gjenocidale, të cilin po e bëjmë edhe përmes rezolutës së sotme, duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm, dhe i kudondodhur, në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më.”, shprehet Kurti.

Ndërkohë presidenti serb, Aleksander Vuçiç është shprehur se një të tillë e ka pritur nga Kosovë, por jo nga Mali i Zi .

“Rezoluta të tilla do të vazhdojnë. Ne mund t'i shmangim ato në disa parlamente, falë marrëdhënieve miqësore, por disa do të vazhdojnë me abuzimin politik të serbëve”, u tha Vuçiç.

Masakra e Srebrenicës, konsiderohet mizoria me e madhe që Evropa ka parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më tepër se 8 mijë burra e djem myslimanë në enklavën lindore boshnjake të Srebrenicës, një ‘strehë e sigurt’ e Kombeve të Bashkuara.

Rreth 15mijë burra dhe djem arritën të shpëtojnë, duke u fshehur në pyll, por shumë të tjerë mbetën të vrarë nga forcat ushtarake serbe, të cilët u zunë pritë ndërsa ishin maskuar si ushtarakë të Kombeve të Bashkuara.