Korrik 12, 2021 10:36 Europe/Tirane
  • Kosova kujton masakrën e Serbrenicës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se në 26-vjetorin e masakrës ndajnë dhimbjen bashkë me nënat e Srebrenicës.

Presidentja Osmani shprehet se aktet e tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë dhe të historisë.

“Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit. Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të vrarëve atëkohë sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes! Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja thekson se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës

“Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten. Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim. Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit”, potencoi Osmani.

Ajo thotë se të vërtetën që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid duhet ta pranojë secili.

“Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë”, përfundon shkrimi i Osmanit në “facebook”.

Bosnja e Hercegovina sot shënon 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

E në këtë ditë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan.

"Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë", tha ai.

Postimi i plotë i Kurtit në "Facebook";

Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore.

Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.” Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë: “Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.”

Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale.

Në 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë qëndruar në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë për t’i kujtuar të rënët.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se bota nuk duhet të hesht për gjenocidin e kryer duke theksuar se heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm

Shkrimi i plotë i Mehaj:

Sot, me ftesë zyrtare të organizatorëve, si përfaqësues shtetëror të Republikës së Kosovës, së bashku me zv.kryeministren Rexhepi dhe ministrin Krasniqi, ishim në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë, ku bashkë me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuam mbi 8 mijë burrat dhe djemtë e tyre të rinj boshnjakë myslimanë të cilët para 26 vjetësh u masakruan nga forcat kriminale të Ushtrisë Serbe.

Lutjet tona qofshin bekim i Zotit për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës!

Në tokën me eshtrat dhe hirin e tyre, u rritshin e lulëzofshin gjithmonë lulet simbol me petale të bardha!

Aroma e tyre u shpërndaftë kudo në Botë me Shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për Srebrenicën,

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë;

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

Në bazë të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe Konventës së Gjenevës mbi Krimet e Luftës, krimet e luftës nuk vjetërohen.

Bota nuk duhet të heshtë.

Ne nuk duhet të heshtim.

Sepse HESHTJA është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm.

Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit.

Prandaj qendrat e vendimmarrjes së botës demokratike, nuk duhet të dorëzohen.

Ende është dhe duhet të jetë e fuqishme ndërgjegjja njerëzore, sepse gjëma e nënave të viktimave nuk pushon kurrë, e shpirtrat e viktimave nuk qetësohen pa fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës.

Vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serb të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen.

Sepse, siç thotë ish- zonja e parë e SHBA-së, Eleanor Roosevelt, "Nuk është e mjaftueshme për të folur për paqen. Duhet besuar në të. Dhe nuk është e mjaftueshme për të besuar në të. Duhet punuar për të.”

Dhe duhet punuar për paqen, sepse ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme.

Ia kemi borxh ndërgjegjes sonë që thirret pa pushim nga viktimat e pafajshme.

Edhe Ramush Haradinaj ka kujtuar Masakrën e Srebrenicës: Populli i Kosovës i kupton më së miri përjetimet e popullit boshnjak dhe bashkëndjen me ta

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar Masakrën e Srebrenicës. 

Ai ka thënë se kujtojmë sot mijëra jetë të shuara në Srebrenicë nga regjimi mizor i Millosheviqit. 

Më tej, Haradinaj është shprehur se njerëz a pa asnjë faj, përfshirë edhe fëmijë, gra e të moshuar, pësuan nga projektet shoviniste të realizuara përmes gjenocidit. 

Tutje Haradinaj theksoi se populli i Kosovës, i cili ishte po ashtu viktimë e të njëjtit terror shtetëror, i kupton më së miri dhimbjet, përjetimet e vuajtjet e popullit boshnjak dhe bashkëndjen me ta. 

Postimi i plotë:

Kujtojmë sot mijëra jetë të shuara në Srebrenicë, nga regjimi mizor i Millosheviqit.

Njerëz të pambrojtur e pa asnjë faj, përfshirë edhe fëmijë, gra e të moshuar, pësuan nga projektet shoviniste të realizuara përmes gjenocidit.

Populli i Kosovës, i cili ishte po ashtu viktimë e të njëjtit terror shtetëror, i kupton më së miri dhembjet, përjetimet dhe vuajtjet e popullit boshnjak dhe bashkëndjen me ta!

Ndërkohë deputeti Daut Haradinaj për Masakrën e Srebrenicës, ka thënë: Fatkeqësi që kriminelët serb nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka përkujtuar Masakrën e Srebrenicës.

Haradinaj ka thënë se 26 vjet më parë, rreth 8372 boshnjakë u vranë mizorisht në Srebrenicë nga aparatura fashiste e serbëve. 

Ai tha se gjenocidi në Srebrenicë është histori e cila nuk duhet përsëritur kurrë. 

Më tëj Haradinaj theksoi se është fatkeqësi që edhe pas dy dekadash, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre më Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. 

Postimi i plotë:

Sot 26 vjet më parë, rreth 8372 boshnjakë u vranë mizorisht në Srebrenicë nga aparatura fashiste e shtetit serb. Gjenocidi në Srebrenicë, është historia që nuk duhet të përsëritet kurrë!

Është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. /parstoday/