Shtator 09, 2021 12:19 Europe/Tirane
  • Tragjedia në Tetovë/ Shpallen 3 ditë zie, reagon BE

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi teksa e nisi komunikatën e saj zyrtare me një ngushëllim për viktimat e tragjedisë së mbrëmshme ku në një spital Covid-i u përfshi nga zjarri, ka shpallur 3 ditë zie për këtë qytet.

Zyrtarja pohoi se komuna do të ofrojë ndihmë për të gjitha familjet e prekura.

“I shpreh ngushëllime të sinqerta ndaj gjithë familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre në këtë fatkeqësi. Është fatkeqësia më e madhe që ka prekur qytetin tonë. Dëshiroj të ngushëllojë qytetarët e Tetovës, pasi të gjithë ata janë vëllezërit dhe motrat tanë. Ashtu siç edhe u informuat më parë, Këshilli Komunal i Tetovës mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme, ku u shpallën 3 ditë zie. Nga fondi emergjent i komunës do të ndihmohen familjet e prekura. Informacionet do të ndahen të verifikuara. Jam në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet”, tha ajo.

Edhe Bashkimi Europian ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për familjet dhe miqtë e viktimave në spitalin Covid të Tetovës.

Zëdhënësja e BE, Ana Pisonero për mediat maqedonase i ka shprehur ngushëllime familjeve dhe miqve të viktimave teksa ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit. Po ashtu një ngushëllim të ngjashëm ka dhënë dhe ambasadori i BE në Maqedoninë e Veriut, David Gere.

Deri me tani jane konfirmuar 14 viktima./Syri