Shtator 10, 2021 15:54 Europe/Tirane
  • Tragjedia në Tetovë, Prokurorët marrin pamjet e kamerave nga spitali, varrosen viktimat

Hetuesit maqedonas kanë marrë në dorëzim pamjet e kamerave të spitalit që u dogj në Tetovë. Zjarri la 14 viktima ndërsa 12 personat që shpëtuan paraqiten në gjendje të mirë. Të premten nisën ceremonitë e para mortore.

Tetova u zgjua të premten me 14 banorë më pak dhe të tjerë të lënduar nga zjarri që shkrumboi spitalin Covid.

Ditën u kryen varrimet e atyre që ndërruan jetë brenda spitalit provizor të qytetit maqedonas.

Marshimi i parashikuar në nder të viktimave u shty për të shtunën pasi familjarët përcollën për varrim të afërmit e ndjerë.

Ndërkohë vijoi pritja për personat që nuk janë identifikuar ende nga djegiet e rënda.

Viktimat ishin pacientë të spitalit dhe civilë që u erdhën të mërkurën mbrëma në ndihmë për t'i shpëtuar nga shpërthimi i një bombole oksigjeni.

Zyra e Prokurorit dhe Inspektorati i Shëndetit Publik janë ngarkuar me zbardhjen e ngjarjes.

Mbeten pikëpyetjet se çfarë e provokoi zjarrin, pse në qendrën e kovidit ndodheshin në atë moment vizitorë dhe të afërm të pacientëve, dhe a u aktivizua sistemi i fikjes së zjarreve pasi ato e pushtuan godinën brenda 5 minutave.

Pamjet e kamerave të instaluara në godinë i janë dorëzuar prokurorëve.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha të enjten se pret hetimet para se të vendosë a ta japë dorëheqjen, siç po i kërkohet.

 “Shumë në media thërrasin për dorëheqjen time. Më lejoni t'ju them se nga përgjegjësia as kam ikur e as do të iki, por në këtë periudhë ka ende nevojë për menaxhimin e një pjese të krizës, posaçërisht për pacientët e Tetovës.”

Presidenti Stevo Pendarovski njoftoi më parë se ekspertë të huaj do e ndihmojnë që këtë fundjavë zbardhjen e tragjedisë në Tetovë./Syri