Bisedimet për targat vazhdojnë edhe sot
Delegacioni serb në bisedimet me Kosovën në Bruksel e ka përfunduar takimin me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak mirëpo nuk kanë dhënë përgjigje nëse e pranojnë draft dokumentin për zgjidhjen e çështjes së targave të automjeteve, e cila ka shkaktuar tension gjatë ditëve të fundit në veri të Kosovës.
Burime të Bashkimit Evropian në Bruksel thanë se negociatat pritet të vazhdojnë edhe sot, më 30 shtator. Delegacioni serb udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Më herët, shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është finalizuar një draft-dokument për zgjidhjen e çështjes së targave, me ndërmjetësimin e BE-së, mirëpo Beogradi edhe nuk e ka dhënë pëlqimin. “Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha Bislimi. Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente: që nga dita e hënë si Serbia ashtu edhe Kosova të avancojnë dhe të përdorin "letrat ngjitëse" në vend të tabelave. Kjo zgjidhje, sipas tij, do të jetë e përkohshme pasi në të njëjtën kohë do të krijohet edhe një grup punues i cili brenda gjashtë muajsh do të gjejë një zgjidhje të përhershme të problemit të lëvizjes së lirë. Pika tjetër, sipas tij, ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas dokumentit ditën e shtunë do të vendosej KFOR-it që do të zëvendësonte njësitë speciale të policisë së Kosovës të cilat do të tërhiqeshin bashkë me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë./ParsToday