Pas largimit të të gjitha barrikadave, tërhiqet edhe njësia speciale
Ashtu siç ishte e paraparë me marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat, janë tërhequr barrikadat në Jarinjë dhe Bërnjak. Po ashtu është tërhequr edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, duke ia liruar hapësirën për veprim KFOR-it.
Kujtojmë se 13 ditë më parë kur edhe u vendos reciprociteti për targat, disa grupe serbe u barrikaduan në rrugët e Jarinjës dhe Bërnjakut duke pamundësuar lëvizjen e lirë drejt pikave kufitare.
Ndërsa Njësia Speciale e Kosovës, u vendos për të ruajtur rendin dhe qetësinë atje.
Nga e hëna Kosova dhe Serbia do të zbatojnë vendosjen e stikercave duke mbuluar kështu simbolet shtetërore në targat e veturave.
Në ora 12:10 ka filluar largimi i kamionëve dhe automjeteve tjera të cilat për 13 ditë kishin bllokuar rrugën për në kufirin e Jarinjes në drejtim të Serbisë, ndërsa ushtarët e KFOR-it po zëvendësojnë Njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
E gjithë kjo, si rezultat i arritjes së marrëveshjes të para dy ditëve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, sipas së cilës KFOR-i do të qëndrojë për dy javë pranë pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Situata është e qetë dhe procesi po zhvillohet pa ndonjë incident deri tani.
Një helikopter i KFOR-it është parë në orët e paradites duke vëzhguar situatën herë pas here nga ajri.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës nuk kanë pranuar të lëvizin derisa të gjithë kamionët të mos kthehen dhe të zhbllokohet rruga në tërësi.
Derisa po raportojmë, mësohet se situatë e ngjashme po mbretëron edhe në Bërnjak, ku kamionët kanë filluar të lëvizin dhe të zhbllokojnë rrugën, ndërsa KFOR-i është vendosur aty në mbrojtje të zyrtarëve doganorë dhe pikës kufitare.
Kjo marrëveshje e përkohshme, nënkupton që nga 4 tetori do të filloj mbulimi i simboleve shtetërore në targat e automjeteve që hyjnë nga Serbia në territorin e Kosovës dhe anasjelltas, ndërsa mbetet që brenda afatit gjashtë mujor të gjendet një zgjidhje e përhershme për këto targa.
Ndryshe, më 20 shtator 2021, Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë, me ç’rast të gjitha automjetet që hynin nga Serbia duhej të vendosnin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet në Kosovë, gjë që u prit me protesta dhe bllokim rrugësh nga banorët lokalë serbë, të dirigjuar nga Beogradi.
Kamioni problematik me mbishkrimin e “Zajednicës”, në Jarinje është larguar nga rruga. Pavarësisht kësaj Njësia Speciale mbetet në pozicionet e tyre, duke pritur urdhrin për largim.
Kujtojmë se deri në ora 16:00 është afati kur barrikadat, por edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës duhet të largohen nga rrugët në Jarinjë dhe Bërnjakë, për t’i liruar vendin KFOR-it i cili për dy javë do të jetë forca e vetme që do të operojë atje.
Para 20 minutash është kthyer totalisht në qarkullim normal për makinat rruga nga Leposaviqi më saktësisht nga qyteza më veriore e Kosovës, deri pranë pikës kufitare në Jarinjë.
Njësia Speciale e Kosovës tashmë janë larguar, e kjo ishte rrjedhojë e marrëveshjes së Brukselit për targat.
Në vend të njësive speciale po qëndrojnë disa njësi poashtu speciale të trupave të KFOR-it, ndonëse në fillim ishin më shumë, tani janë numërikisht më pak./ParsToday