Kosovë - Serbi: Zhbllokohen tërësisht pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak
Gjatë fundjavës u zhbllokuan tërësisht rrugët që çojnë në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, pika këto në veri që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Për 13 ditë këto dy rrugë u bllokuan me protestues, me automjete të rënda dhe të lehta, në shenjë proteste nga serbët lokal kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë lidhur me targat e automjeteve.
Pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel (30.09)ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit në mënyrë të barabartë të targave të makinave nga të dyja vendet, serbët hoqën barrikadat dhe po ashtu u tërhoq nga veriu edhe njësia speciale e Kosovës, që ishte kërkesë e Beogradit. Policia e Kosovës përmes një njoftimi tha të dielën se "rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim dhe se gjendja është kthyer në normalitet”. "Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftim. Pas largimit të njësisë speciale të policisë së Kosovës nga veriu, mbikqyrjen e situatës së sigurisë do ta bëjnë forcat paqeruajtëse KFOR, për dy javët e ardhshme. Trupat e KFOR-it të vendosura nga dy pikat kifitare Jarinje dhe Bërnjak, të dielën u vizituan nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Franco Federici. Ai tha se "njësitet e KFOR-it janë plotësisht të gatshme për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në mbështetje të stabilitetit lokal dhe rajonal” dhe "falënderoi institucionet në Kosovës, kryetarët e komunave veriore dhe të gjithë aktorët që kanë kontribuar në shtensionimin e situatës”./ParsToday