Tetor 10, 2021 18:03 Europe/Tirane
  • Kosova mund të përfundojë e vetmja në rajon pa qasje në gaz

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se për momentin nuk është e interesuar për ndërtimin e rrjetit të gazit që do të lidhte Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Refuzimi që qeveria ia bëri këtij projekti nxiti debat në Kosovë pasi partitë opozitare thanë se po refuzohet një projekt amerikan me interes strategjik për vendin.

Projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit me Maqedoninë e Veriut, sipas Qeverisë së Kosovës parashihej të bëhej me mbështetje të agjencisë amerikane, Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) si dhe nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Kostoja e ndërtimit të këtij rrjeti të gazsjellësit si dhe një termocentrali për prodhim të energjisë nga gazi, sipas qeverisë, parashihej të kushtonte rreth 600 milionë euro.

Edhe pse Kosova nuk është e përfshirë në ndonjë projekt tjetër të gazit, qeveria tha se ndërtimi i këtij projekti nuk ishte ekonomikisht i favorshëm, kështu që vendosi të tërhiqej.

Çfarë refuzoi Kosova?

Një prej sfidave të shumë qeverive evropiane në vitet e ardhshme parashihet të jetë siguria energjetike si dhe qasja në sa më shumë burime të energjisë.

Për këtë arsye në vitin 2003, kishte marrë mbështetje ndërtimi i një projekti të rrjetit të gazit natyror, i njohur si Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP).

Ndërtimi i projektit të TAP-it filloi në vitin 2016. Tubacionet e gazsjellësit nisin në fushën Shah Deniz II në Azerbajxhan, kalojnë në veri të Greqisë, më pas një pjesë të konsiderueshme të territorit të Shqipërisë nga ku futen nën Detin Adriatik për të dalë sërish në sipërfaqe në jug të Italisë.

Aty, tubacionet e gazsjellësit TAP lidhen me rrjetin italian të gazit natyror./ParsToday