Rama mbërrin në Beograd
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur në Beograd.
Rama nesër pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov. Takimit të tre liderëve në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur” do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe me përfaqësues të Këshillit Atlantik. Pas bisedimeve do të vijojë një konferencë e përbashkët për shtyp e Ramës, Vuçiqit dhe Dimitrovit. Paraprakisht, zëvendëskryeministri maqedonas, Dimitrov është pritur në aeroportin e Beogradit, “Nikola Tesla” nga ministrja serbe për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq. Në një prononcim për Tanjug, Dimitrov tha se Maqedonia e Veriut, përkundër dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev pas zgjedhjeve lokale, është plotësisht e përkushtuar ndaj iniciativës “Ballkani i Hapur”. Nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Muhamed Zekiri, deklaroi sot se koha do të tregojë nëse iniciativa e “Ballkanit të Hapur” do të rrezikohet pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev./ParsToday