Kurti: Për ‘Open Balkan’ duhet që Serbia të ndryshojë
Albin Kurti është shprehur se Prishtina nuk po i shmanget detyrimit për themelimin e asociacionit të komunave serbe, por kushtetuta e Kosovës nuk lë vend për asociacion mbi baza etnike. Në një intervistë për “Deutsche Ëelle”, kryeministri i Kosovës deklaroi se Beogradi zyrtar po luan një lojë të rrezikshme në rajon.
“Serbia po sillet në Ballkanin Perëndimor sikurse Federata Ruse, ku Republika Serbe në Bosnje po tenton të bëhet një Bjellorusi, ndërsa Malin e Zi dëshirojnë ta shndërrojnë në Ukrainë. Thelbi i çështjes është se Serbia nuk i pranon si shtete të vërteta shtetet që nuk janë në Bashkimin Evropian, por i konsideron si të përkohshme”, tha kryeministri i Kosovës. Mes të tjerash, Kurti shpjegoi ku bazohet kundërshtia e tij për Ballkanin e Hapur, një iniciativë të cilën e mbështesin vetëm 3 nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. “Kur thuhet Ballkani i Hapur, i hapur për kë? Sepse ne do të duhej të ishim me Bashkimin Evropian, jo të hapur për Federatën Ruse dhe Kinën. Ne kundërshtojmë një tendencë të tillë. Për t’u bërë Ballkani i hapur dhe i lirë duhet të ndryshojë njëherë Serbia”, deklaroi ai. Kurti thotë se nuk është një prej udhëheqësve që besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, ndërsa thekson se si për këtë iniciativë trepalëshe, ashtu edhe për marrëveshjen finale me Serbinë, duhet të ketë prezencë të Bashkimit Evropian./ParsToday