Nëntor 14, 2021 07:21 Europe/Tirane
  • Kurti: Kosova ka dëshmuar se është shtet demokratik

Kryeministri Albin Kurti ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Juridik.

Pasi ushtroi të drejtën e tij kushtetuese të votës, Kurti tha se meqenëse është moti i bukur presin pjesëmarrje masive në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Shefi i qeverisë kosovare u shpreh se Kosova po përmbyll një vit të suksesshëm elektoral duke dëshmuar se është shtet demokratik që respekton të drejtat e qytetarëve.

Ai po ashtu tha se të gjithë mekanizmat shtetërorë do kujdesen për mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor.

“Unë si qytetar I Republikës dhe banor i kryeqytetit posa vota dhe posa e ushtrova të drejtën demokratike për të zgjedhur për kryetarin e komunës që do të qeverisë në katër vjetët në vijim. Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë është publikja e lagjes dhe në anën tjetër është gjithashtu edhe qeliza e Republikës, andaj i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve që zgjedhin sot. Moti është i bukur dhe pa të reshura, andaj pjesëmarrja sa më masive është e pritshme, mekanizmat shtetërorë do të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit me respektim të ligjit dhe zbatim të rregullave. Më 14 nëntor, sot mund të themi se e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektoral… Kosova ka dëshmuar se është një shtet demokratik në të cilin respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe ku ata në mënyrë të lirë dhe ndershme zgjedhin ata të cilët do zgjedhin në vijim për neve”, tha Kurti.

Sot në 21 komuna të Kosovës mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Të drejtë vote kanë 1.260.571 qytetarë ose rreth 33% më pak se në raundin e parë. Qytetarë mund të votojnë në 575 qendra të votimit, përkatësisht 1638 vendvotime./ParsToday