Nëntor 23, 2021 07:34 Europe/Tirane
  • Aksidenti/ Prokuroria konfirmon shpërthimin, rrëfehet i mbijetuari

Prokuroria bullgare ka konfirmuar se ka pasur një shpërthim në autobusin me pasagjerë nga Maqedonia e Veriut. Prokurori Lyubomir Yovevski tha se pritet që të shihet se pse ka ndodhur shpërthimi.

Sipas tij, do të verifikohet nëse shpërthimi ka ndodhur brenda autobusit apo për shkak të përplasjes me bordurat mbrojtëse.

Aksidenti u mori jetën 45 personave. Sipas agjencisë AFP, ky është aksidenti më i rëndë rrugor në një dekadë në Europë.

Ngjarja e rëndë ka shkaktuar edhe përplasje politike në vend, për shkak të cilësisë dhe mirëmbajtjes së akseve rrugore.

Ndërkohë Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev deklaroi se ka arritur të bisedojë me njërin nga personat e plagosur që ndodhen në spitalin “Pirogov”.

Në një intervistë për Bulgaria ON AIR, Zaev pohoi se viktimat janë të moshave të reja, 25-30 vjeç, por mes tyre ka edhe fëmijë.

“Ai më tha se ka dëgjuar shpërthim. Kanë arritur të shpëtojnë pasi kanë thyer dritaret dhe kanë arritur të dalin nga autobusi. Viktimat e tragjedisë janë persona të moshës prej 25-30 vjeç, ka edhe fëmijë. Tragjedia është e madhe. Ju besojmë kolegëve tanë bullgarë për hetimin. Nëse u duhet ndihmë, jemi të gatshëm të ndihmojmë në hetim. Tani më e rëndësishmja është të shohim t’u ndihmojmë të lënduarve”, deklaroi Zaev./Syri