Nëntor 24, 2021 12:54 Europe/Tirane
  • Tragjedia e shqiptarëve: Ditë zie në 3 shtete, në Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Kosovë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli tre ditë zie në të gjithë territorin për shkak të tragjedisë së shkaktuar nga aksidenti i autobusit me qytetarë të Maqedonisë në Bullgari. Flamujt janë ulur në gjysmështizë, njofton agjencia e lajmeve INA.

Kryeministri Zoran Zaev njoftoi se "në mbledhjen e së martës, qeveria maqedonase shpalli zi treditore në territorin e vendit, për aksidentin tragjik në Bullgari, në të cilin humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë. Ditë zie janë shpallur datat 23, 24 dhe 25 nëntor (e martë, e mërkurë dhe e enjte), ndërsa gjatë ditëve të zisë flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësuesit diplomatik të vendit jashtë vendit, do të jetë në gjysmështizë. Të gjitha ngjarjet publike shtyhen dhe mediat duhet të përshtasin përmbajtjen e tyre në përputhje me zinë e shpallur treditore."

24 nëntori u shpall ditë zie kombëtare dhe në Bullgari, ku humbën jetën 45 qytetarë nga Maqedonia e Veriut. Këtë e ka bërë të ditur Zv.Kryeministri Galab Doneb në Varna. Në këtë mënyrë do të nderohen viktimat e dy tragjedive: zjarri në azilin e të moshuarëve në fshatin Rojak dhe aksidenti i autobusit në autostradën e Strumës.

Edhe Kosova do të jetë në ditë zie, pasi presidentja Vjosa Osmani në mbështetje të legjislacionit në fuqi ka marrë vendim që të mërkurën më 24 nëntor të shpallet ditë zie shtetërore “në shenjë solidarizimi dhe nderimi me qytetarët e Maqedonisë së Veriut, shumica dërrmuese bashkëkombas tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku ën Bullgari.”

Mëngjesin e së martës së 23 nëntorit, 46 persona, kryesisht shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë vdekur pasi një autobus u përfshi nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë. Në mes të viktimave janë 12 fëmijë ndërsa shtatë vetë I kanë mbijetuar aksidentit dhe ndodhen për kurim në spitalin e Sofjes/Syri