Kosova reciproke ndaj Serbisë
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se ia ka refuzuar kërkesën kryenegociatorit serb Petar Petkoviq për të vizituar Republikën e Kosovës më 2 dhe 3 dhjetor.
Ky vendim i institucioneve të Kosovës vjen vetëm pak ditë pasi Serbia nuk lejoi që katër ministra kosovarë të vizitojnë Luginën e Preshevës me rastin e 28 nëntorit. “MPJ-ja nuk e ka aprovuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën në datat 2-3 dhjetor 2021”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së. Petkoviq sot është lajmëruar nga pika kufitare në Merdare duke thënë se atij i është ndaluar hyrja në territorin e Republikës së Kosovës. “Unë kam njoftuar për vizitën në dakordim me marrëveshjen por Prishtina është duke shkelur të gjitha marrëveshjet sërish. Ideja e vizitës sime ishte të vizitoj studentët e Seminarit Teologjik në Prizren, t’i vizitojë të rikthyerit në fshatin Novake si dhe të flas me njerëzit tanë në veri të Kosovës” ka thënë ai./ParsToday