Kurti: Nëse kërkon NATO, jemi të gatshëm ta dërgojmë FSK në Ukrainë
Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth mundësisë së dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ukrainë në rast të shpërthimit të një konflikti të mundshëm ndërmjet palës ruse dhe asaj ukrainase.
Ai tha se çka do që parasheh NATO, Kosova do të jetë e gatshme të veprojë.
“Së pari, uroj që mos të ketë konflikte të reja, edhe unë jam duke e përcjellë me vëmendje deri në orët e vona se çfarë po ndodh në kufirin midis Ukrainës dhe Federatës Ruse. Ka një alarmim edhe të NATO-s, në veçanti të SHBA-së, por edhe të BE-së për këtë gjë. Çka do që NATO e parasheh të nevojshme, ne natyrisht që jemi të gatshëm”, tha ai.
Këto komente kryeministri Kurti i bëri pas një ngjarjeje me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsion.
Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth arritjes së një marrëveshje të mundshme finale me Serbinë në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel.
Ai ka thënë se dëshirojnë të kenë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e cila definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke.
Duke komentuar emërimin e emisarit britanik për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach, Kurti tha se emisarët që vijnë nga perëndimi demokratik, gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë.
“Ne dëshirojmë të kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe e cila e definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke në qendër, marrëveshje përveç që është e obligueshme për njohje reciproke. Emisarët që na vijnë nga perëndimi demokratik gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor e posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë”, tha Kurti.
Në fillim të këtij muaji Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Britanisë së Madhepër Ballkanin Perëndimor. Kryeministri britanik, Boris Johnson pati deklaruar se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Londrës zyrtare për stabilitet dhe paqe në këtë rajon.
Më 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.
Në rolin e të dërguarit të posaçëm, Peach do të punojë me liderë të Ballkanit Perëndimor, me zyrtarë tjerë rreth rajonit dhe aleatë të Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Evropë për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal./ParsToday