Dhjetor 28, 2021 06:59 Europe/Tirane
  • Kurti: Kemi stabilizuar furnizimin me energji, reduktimet pothuajse janë hequr

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se qeveria po bën gjithçka në përballimin e krizës energjitike dhe se ka arritur të stabilizojnë furnizimin me energji elektrike.

Ai nënvizoi se reduktimet pothuajse janë hequr. “Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr”, shprehet kreu i qeverisë në Kosovë nëpërmjet një postimi në Facebook. Z. Kurti nënvizoi se janë dy faktorë të brendshëm që i kanë sjellë në këtë krizë. “Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro”, u shpreh ndër të tjera ai. “Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe”, shton ai. Kurti premton se në vitin 2022 do të ketë një strategji nacionale energjetike për dekadën në vijim dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050./ParsToday