Janar 12, 2022 09:36 Europe/Tirane
  • Aksidenti në Serbi, pasagjeri: Autobusi u përmbys për shkak të rrugës së papastruar nga bora, shoferi nuk ka faj

Njëri prej pasagjerëve që ndodhej brenda autobusit, që u përmbys në Krushevc të Serbisë, tha se aksidenti ndodhi, pasi rruga nuk ka qenë e pastruar nga dëbora nga autoritetet serbe dhe se shoferi nuk ka faj.

Sipas tij shoferi  i autobusit nuk ka asnjë faj sepse nuk ka qenë duke ecur me shpejtësi të madhe, meqë edhe kushtet e rrugës nuk e lejonin një gjë të tillë.

Udhëtari tha se autobusi ka qenë i mbushur plot, pa asnjë vend të lirë.

Sipas tij, reagimi i organeve të rendit të shtetit serb ka qenë i shpejt në intervenim dhe se gjithçka ka qenë normale.

“Pra ka ardhur një autobus tjetër për të na marrë. Jemi në afërsi të Krushevcit”, citon  Klan Kosova.

“Të gjithë kemi qenë duke fjetur në atë moment. Mes nesh ka pasur edhe fëmijë dhe një person me aftësi të kufizuara, por të gjithë jemi mobilizuar për t’i ndihmuar njëri-tjetrit dhe të gjithë jemi mirë”, deklaroi mes tjerash ai.

Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 9 pasagjerë. Kompania e linjës së autobusit  “Zhitia Turist” njoftoi sot  se nëntë personat e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën dhe se se janë rrugës për në Slloveni./Syri