Janar 27, 2022 07:29 Europe/Tirane
  • Serbia e ekstradon disidentin nga Bahreini në bashkëpunim me Interpolin

Beograd - Autoritetet serbe kanë ekstraduar një disident nga Bahreini në bashkëpunim me Interpolin, pavarësisht një urdhri nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, prova e parë ky për organizatën ndërkombëtare të Policisë nën presidencën e një zyrtari të lartë të sigurisë së Emirateve.

Autoritetet në Beograd miratuan dëbimin e Ahmed Jaafar Mohamed Ali për në Bahrein në fillim të kësaj jave

Ditë më parë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut kishte lëshuar një urdhër ku thuhej se ekstradimi duhet të shtyhej deri më 25 shkurt për t'u lënë kohë autoriteteve serbe për t'i dhënë më shumë informacion gjykatës që t’i përgjigjej një kërkese të Qendrës së Beogradit për të Drejtat e Njeriut për të shqyrtuar rastin e Aliut.

Gjykata gjithashtu kërkoi prova të mëtejshme nga autoritetet serbe për rastin dhe paralajmëroi se dështimi për ta përmbushur do të thotë se Serbia rrezikon të shkelë konventën evropiane për të drejtat e njeriut.

Avokatët e Aliut pretenduan se një gjykatës në Beograd informoi autoritetet serbe dhe Interpolin për vendimin të dielën e kaluar.

Ai u ekstradua në Bahrein në orët e para të mëngjesit të së hënës në një fluturim çarter nga Royal Jet, një linjë ajrore private emiratiane e kryesuar nga një anëtar i familjes në pushtet të Abu Dhabit.

Ministria e Brendshme e Bahrejnit e përshëndeti deportimin e Aliut si një "operacion të përbashkët midis vendeve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (Interpol)" dhe tha se ai "u arrestua pas koordinimit dhe komunikimit me një vend mik".

Ekstradimi i Aliut përfaqëson rastin e parë të këtij lloji që kur gjeneralmajor Ahmed Naser al-Raisi, një zyrtar kryesor i sigurisë së Emirateve, u zgjodh në presidencën e Interpolit.

Raisi, i cili mbikëqyrte sistemin e paraburgimit në Emiratet, u akuzua nga ish-të burgosurit për bashkëpunim në tortura, mes shqetësimeve në rritje se zgjedhja e tij mund të inkurajonte abuzimin e strukturave të Interpolit nga regjimet autoritare për të arrestuar disidentë jashtë shtetit./Syri