Janar 27, 2022 07:31 Europe/Tirane
  • Kriza në Ukrainë, Maqedonia e Veriut është e gatshme të dërgojë trupa ushtarake

Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski dhe ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska thanë për mediat se Maqedonia, si anëtare e NATO-s, është e gatshme të dërgojë trupa në rast të ndërhyrjes ruse në Ukrainë.

Nga zyra e presidentit Pendarovski për MKD.mk kanë thënë se Republika e Maqedonisë së Veriut, si pjesë e NATO-s, merr pjesë në procesin e planifikimit së bashku me anëtarët e tjerë për mënyrat se si Aleanca i qaset tensioneve në rritje në atë rajon.

"NATO nuk ka marrë një vendim për përfshirjen ushtarake në një konflikt të mundshëm, por është vetëm një procedurë e detyrueshme për ngritjen e nivelit të lëvizshmërisë në një situatë të tensioneve të shtuara në një rajon që kufizohet me disa anëtarë të Aleancës".

Presidenti kroat Zoran Milanovic tha sot  se Ukraina nuk ka vend në NATO dhe e vlerësoi situatën në kufirin ukrainas-rus si një krizë serioze, në radhë të parë dinamikën e politikës së brendshme amerikane, duke shtuar se Kroacia nuk do të ndërhyjë në krizë në asnjë mënyrë nëse do të përshkallëzohej dhe nuk do të dërgojë trupa atje.

Ministrja e re e Mbrojtjes së Maqedonisë, Slavjanka Petrovska, në një prononcim për televizionin Telma, tha se është e mundur që ushtria maqedonase të përfshihet në një konflikt të mundshëm ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por vetëm nëse NATO-ja e kërkon këtë. 

Ajo tha se një veprim i tillë do të ishte i mundur vetëm me pëlqimin e komandantit suprem, përkatësisht me pëlqimin e presidentit Stevo Pendarovski.

"Angazhimi i ushtrisë sonë, si dhe i ushtrive të të gjitha shteteve të tjera anëtare të NATO-s, përcaktohet në konferencat e gjenerimit të forcave që mbahen posaçërisht për këtë temë nën koordinimin e Komandës supreme të Forcave Aleate të NATO-s në Minsk. Në këto konferenca, çdo shtet anëtar vë në dispozicion forcat, njësitë ose pajisjet sipas aftësive të veta. Në këtë moment ushtria jonë si pjesë e atyre strukturave e ka obligim dhe tashmë është duke përgatitur analiza për mundësitë për pjesëmarrjen tonë të mundshme, pra angazhimin. Vendimi për pjesëmarrje eventuale është paraparë se në cilën procedurë zbatohet, kërkohet vendim i Qeverisë. Një vendim i tillë ende nuk është marrë", tha Petrovska.

Ministrja tha se Maqedonia nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga Rusia pasi ka kërkuar që NATO të tërhiqet nga Bullgaria dhe Rumania.

Për marrëdhëniet me Rusinë, Petrovska tha se si shtet kultivojmë marrëdhënie të mira diplomatike dhe miqësore me të gjitha vendet.

Këto qëndrime të Petrovskës shkaktuan  reagimin e Ambasadës së Rusisë në Maqedoni  , e cila tha se janë të befasuar nga deklaratat e tilla dhe se Ministrja duhet të ketë parasysh gjendjen reale në përcaktimin e prioriteteve për punën e ministrisë./Syri