Mars 19, 2022 07:43 Europe/Tirane
  • Serbia rrezikon sovranitetin e vendeve të rajonit

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç është shprehur mosbesues ndaj iniciativës rajonale për bashkëpunim “Ballkani i Hapur” dhe qëllimeve të Serbisë në rajon.

Ata (Serbia) po përpiqen të realizojnë projektin e tyre nacionalist që më pas ta kamuflojnë shkatërrimin e tyre me një lloj historie për bashkëpunimin rajonal, të cilin fjalë për fjalë e përkufizojnë si Ballkani i Hapur. Jo, kjo nuk funksionon për ne”, tha Gjukanoviç. Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje e Hercegovina nuk i janë bashkuar nismës ‘Open Balkan’, pasi e shohin këtë si rrezik për sovranitetin e tyre, tha ai. “Pas kësaj shohim një përpjekje për të shkatërruar sovranitetin e vendeve fqinje dhe për këtë arsye e themi shumë qartë se një nga autorët e kësaj nisme nuk ka asnjë kredibilitet për të na ftuar t’i bashkohemi kësaj nisme”, ka thënë ai në një intervistë për KTV. Gjukanoviç ka njoftuar se muajt e ardhshëm do të zhvillojë një vizitë në Prishtinë, ku pritet të japë edhe qëndrimin e tij lidhur me zhvillimet e fundit, si lufta në Ukrainë dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO. “Pra, për mua është plotësisht legjitime që Kosova të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Jam thellësisht i bindur se problemi kryesor i këtij rajoni është paqëndrueshmëria e tij dhe e kam thënë shumë herë se kemi shumë prova, si në të kaluarën ashtu edhe në historinë e re, se nuk kemi mekanizma mjaftueshëm të besueshëm për stabilitetin tonë rajonal”, tha ai. Ai ritheksoi qëndrimin e Malit të Zi për Kosovën dhe sovranitetin e saj. “Në rastin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është shumë e rëndësishme që të dyja palët të tregojnë përgjegjësi për dialogun dhe të përpiqen ta zhvillojnë këtë dialog deri në një zgjidhje përfundimtare. Qëndrimi i Malit të Zi është i qartë: Mali i Zi e pranoi pavarësinë e Kosovës sepse si atëherë, ashtu edhe tani ishte i bindur se ishte e vetmja pikëpamje e vërtetë e së ardhmes,” tha Gjukanoviç./ParsToday