Mars 24, 2022 06:30 Europe/Tirane
  • Krivokapiç: Deklarata e Kurtit për demarkacionin, provokim i papranueshëm

Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti sa i përket demarkacionit është “provokim i papranueshëm” për Malin e Zi.

Kështu u shpreh kryeministri në largim i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç përmes një postimi në Twitter. “Unë e konsideroj një provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti, e cila tregon aspirata të rrezikshme për të cenuar integritetin territorial të Malit të Zi”, tha ai. Deklarata e tij vjen një ditë pasi Kurti tha se qeveria e kaluar e Malit të Zi kishte politikë pro-ruse, dhe me qeverinë e re malazeze do të diskutojë për çështjen e demarkacionit midis Malit të Zi dhe Kosovës. “Është interesant që nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kandidati antikushtetues për kryeministër, Dritan Abazoviq”, shkroi Krivokapiç. Dje u shënua katërvjetori i ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Kurti, në atë kohë ishte kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, duke thënë se Kosova ka humbur 8 mijë hektarë tokë. “Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë Qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, tha Kurti./ParsToday