Prill 26, 2022 07:05 Europe/Tirane
  • Dështimi i marrëveshjes për targat, kërkohet takim Kurti-Vuçiç

Pas dështimit të marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po kërkohet takim i nivelit të lartë politik, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Një takim i tillë po konsiderohet i mirëseardhur që mund t’i jep zgjidhje problemit për targat e automjeteve të dy vendeve, por edhe do t’i hapte rrugë dialogut për marrëveshjen përfundimtare. Njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi thonë se është krijuar momentumi për takimin Kurti-Vuçiç, në të cilin duhet të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njohësi i rrethanave politike, sociologu, Artan Muhaxhiri thotë se vetëm takimet e nivelit të lartë politik mund të japin shpresë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje. “Vetëm në takimet e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç mund të ketë shpresë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e cila do t’ju ndihmojë edhe qytetarëve, por edhe agjendës evropiane të Kosovës”, thotë Muhaxhiri. Takimin Kurti-Vuçiç e pret edhe analisti politik, Gazmir Raci, por ky kërkon përfshirje më të madhe të ShBA-së në këtë proces. “Kërcënimi rus në Ballkan është aktiv dhe andaj edhe ShBA-të dhe BE-ja duhet të jenë seriozisht të përfshirë në këtë fazë… Unë besoj se involvimi më i madh amerikan dhe më direkt do të mund t’i ulë përsëri nivelin e lartë, fundja nuk ka zgjidhje tjetër se pa u ulur liderët politikë nuk mund të arrijmë marrëveshjen finale”, deklaron ai. Ndërkohë, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se në takimin Kurti-Vuçiç duhet të rifillojnë negociatat për marrëveshjen finale. “Marrë parasysh fitoren e madhe të Vuçiç dhe bllokimin disa mujor të dialogut, konsiderojmë se është një momentum i ri dhe mundësi e re që këto negociata të rifillojnë”, thotë ai. Përkundër dy ditëve negociata më 20 dhe 21 prill në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk gjetën pajtueshmëri për të arritur marrëveshjen për targat e automjeteve. Marrëveshja e përkohshme për vendosjen e ngjitësve në simbolet shtetërore në targat e automjeteve pritet të vazhdojë deri në arritjen e një zgjidhje të përhershme. Takimin Kurti-Vuçiç dje e paralajmëroi edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç./ParsToday