Kosova siguron grurin, rikthehet importi nga Serbia
Kosova mbetet e varur nga importi sa i përket grurit edhe pse bujqit theksojnë se gjysma e sasisë që i duhet vendit do të sigurohet nga ata.
Rezervat e grurit janë rritur. Serbia ka rikthyer tregtimin e grurit me Kosovën pas pezullimit të eksportit më 10 mars. Nga data 4 maj, importuesit kosovarë të drithërave kanë blerë grurë nga Serbia, tregtim i cili ishte ndaluar për shkak të luftës në Ukrainë. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari thotë se nuk ka vend për panik. “Deri më tani kemi siguruar mjaftueshëm, por edhe në korrik vijnë kultivuesit tonë grurit dhe ofrojnë edhe më shumë për rezervën shtetërore. Me rezervat që kemi rritur dhe me kultivuesit e verës (drithërave), ne do të krijojmë edhe më shumë stabilitet. Tani për tani nuk ka vend për panik”, tha ajo. Në anën tjetër, profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci thotë se qeveria nuk duhet ta neglizhojë çështjen e sigurimit të ushqimeve. “Ne duhet të synojmë edhe pika të tjera ku mundësohet eksporti për të siguruar ushqimin bazë, përkatësisht te drithërat, mirëpo që të neglizhohet kjo dhe që të jenë të pakujdesshëm ndaj një raporti të çmimit në bursën ndërkombëtare, është e pajustifikueshme, qoftë për dikasteret përkatëse ose për nivelin qeveritar dhe për fermerët”, u shpreh Rusinovci. Sakaq, çmimet e grurit janë dyfishuar, një kilogram grurë në Kosovë ka arrit 40 cent, nga 18 cent që ishte një vit më parë. “Ne në vitin e kaluar në përfundimin e fushatës së korre-shirjeve, kemi pasur çmimin e grumbullimit të grurit 0.18 cent, sot është më shumë se dyfish”, sipas Rusinovcit. Ministria po monitoron tregjet për çdo abuzim të mundshëm. “Çdo shkelje, çdo rritje e çmimit që është jashtë normës, jashtë asaj se çka është në bursë dhe çka shitet e si shitet në Kosovë, veprohet në Ministrinë e Industrisë, respektivisht edhe në qeveri”, deklaroi ministrja Hajdari. Lufta në Ukrainë ka thelluar ndikimet e saj në tregjet ndërkombëtare dhe një krizë e tillë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës duke sjellë shtrenjtim e të gjitha produkteve./ParsToday